Prill 2023

Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi, dhe në vendin tonë dëgjohet zëri i turtulleshës.

Kënga e Këngëve 2:12

Stina e pranverës është e mirëpritur me gjithë freskinë e saj. Dimri i gjatë e i zymtë na bën që ta vlerësojmë edhe më shumë ngrohtësinë e saj të këndshme, ndërsa fakti që ajo është premtimi [i ardhjes] së verës, i shton kënaqësitë e saj të tanishme. Pasi kemi kaluar periudha depresioni frymëror, është një kënaqësi e vërtetë të ndriçohemi përsëri nga rrezet e Diellit të Drejtësisë. Hiret tona të dremitura zgjohen nga letargjia e tyre, ashtu si krokelli dhe narcisi i lëndinës prej leheve të tyre; kështu edhe zemra jonë galdon me melodi të papërshkrueshme mirënjohjeje, melodi të cilat tingëllojnë më bukur sesa cicërima e zogjve. Siguria ngushëlluese e paqes, e cila është miliona herë më e këndshme sesa kënga e turtulleshës, dëgjohet brenda shpirtit.

Tashmë ka ardhur koha që shpirti të kërkojë përbashkësi me Shumë të Dashurin e vet; tani ai duhet të largohet prej fëlliqësisë së lindur dhe t’u shmanget miqësive të vjetra. Ne bëjmë një gabim të rëndë nëse nuk e ngremë velën kur era është e favorshme, sepse nuk duhet t’i lëmë kohët e vlagës të na kalojnë [pa e lëvruar tokën]. Kur vetë Jezusi na viziton gjithë dashamirësi dhe na fton të ngrihemi, si mund të jemi vallë aq mosmirënjohës sa ta refuzojmë kërkesën e Tij? Vetë Krishti është ngritur së vdekurish, që të na ngrejë, duke na tërhequr pas Vetes. Ai na ka ringjallur me anë të Frymës së Tij të Shenjtë, me qëllim që, në risinë e jetës, të mund të ngjitemi në vendet qiellore dhe të shijojmë përbashkësi me Të. Ne i japim lamtumirën ftohtësisë dhe indiferencës së dimrit frymëror kur Zoti bën që brenda nesh të shpërthejë pranvera. Atëherë, lëngu jetësor rrjedh në ne me furi dhe degët tona çelin sytha me zell të madh.

O Zot, nëse pranvera nuk ka ardhur ende në zemrën time të akullt, të lutem Ty që ta bësh pranverë, sepse nuk mund të jetoj më as edhe një çast tjetër larg Teje! Oh, kur do t’i japësh fund vallë këtij dimri të gjatë e të zymtë? Eja, Frymë e Shenjtë, dhe përtërije shpirtin tim! Më gjallëro, më rimëkëmb dhe ki mëshirë për mua! Pikërisht sonte, të përgjërohem me zell, o Zot, që të tregosh mëshirë për shërbëtorin e Tënd dhe të më dërgosh një rizgjim të hareshëm të jetës frymërore!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin