spurgeon dev 24 nëntor am
November 2023

Zoti në madhështinë e tij do të jetë për ne një vend lumenjsh dhe rrjedhash të gjera uji.

Isaia 33:21

“Lumenjtë dhe rrjedhat e gjera të ujit” janë një burim pjellorie dhe begatie për tokat. Vendet që gjenden pranë lumenjve të gjerë, shquhen për bimësinë e tyre të larmishme dhe të korrat e tyre të bollshme. Perëndia është i tillë për Kishën e Vet. Kur kisha ka Perëndinë, e rrethon bollëku. E çfarë tjetër mund të kërkojë ajo që Perëndia nuk do t’ia japë? Ç’nevojë mund të përmendë ajo që Ai nuk do t’ia plotësojë?

“ZOTI i ushtrive do t’u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një gosti me gjellë të shijshme” (Isaia 25:6).

A e dëshiron vallë bukën e jetës? Ajo bie si manë nga qielli. A dëshiron vallë burime freskuese? Shkëmbi të ndjek pas, dhe ai Shkëmb është Krishti.

Nëse ende vuan nga ndonjë mungesë, dije se është faji yt; nëse je privuar, nuk je i privuar në Të, por në veten tënde. “Lumenjtë dhe rrjedhat e gjera të ujit” tregojnë gjithashtu një vend tregtie.

Zoti ynë i lavdishëm është për ne si një vend mallrash qiellore. Përmes Shpenguesit tonë, bëjmë tregti me të kaluarën. Pasuritë e Kalvarit, thesaret e besëlidhjes, kamja e kohërave të lashta të zgjedhjes, depozitat e përjetësisë—të gjitha këto vijnë te ne përmes rrjedhave të gjera të Zotit tonë plot hir.

Gjithashtu bëjmë tregti me të ardhmen. Çfarë anijesh të ngarkuara deri në grykë vijnë te ne nga qielli! Çfarë vegimesh të mrekullueshme që kemi për qiellin e ri dhe tokën e re!

Përmes Zotit tonë të lavdishëm, bëjmë tregti edhe me engjëjt—kemi përbashkësi me shpirtrat e ndritshëm të pastruar në gjak, të cilët këndojnë përpara fronit. Dhe mrekullia vetë: kemi përbashkësi me të Pafundmin. “Lumenjtë dhe rrjedhat e gjera të ujit” synojnë të përcjellin veçanërisht idenë e sigurisë.

Dikur lumenjtë ishin shpesh një mbrojtje. I dashur, ç’mbrojtje e mirë është Perëndia për Kishën e Tij! Qoftëlargu nuk e kapërcen dot këtë lumë të gjerë të Perëndisë. Sa do të donte ai që ta devijonte rrjedhën, por mos ki frikë, sepse Perëndia mbetet i njëjti përherë.

I paudhi mund të sulmojë, por nuk mund të na shkatërrojë dot; asnjë galerë me rrema nuk do ta pushtojë lumin tonë, dhe andej nuk do të kalojë asnjë anije e fuqishme.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin