spurgeon dev 24 nëntor pm
November 2023

Të flesh pakëz, të dremitësh pakëz, të rrish pakëz me duar në ijë për të pushuar, kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

Fjalët e Urta 24:33-34

Përtacët më të këqij kërkojnë vetëm pak dremitje; ata do të zemëroheshin nëse dikush do t’i akuzonte se janë kokë e këmbë përtacë. Dëshira e tyre e vetme është thjesht që të kalojnë vetëm pak çaste me duar në ijë dhe kanë në majë të gjuhës një mori arsyesh për të provuar se ky llastim i tyre është krejtësisht i përligjur. Mirëpo, duke bërë lëshime pakëz këtu e pakëz atje, ditët ia zënë vendin njëra-tjetrës, dhe kështu koha kur mund të bëheshin punët kalon dhe ara mbushet me gjembaçë. Njerëzit i shkatërrojnë shpirtrat e tyre pikërisht duke i lënë pak nga pak punët e sotme për nesër. Ata nuk dëshirojnë që t’i vonojnë gjërat për vite me radhë—“ja, të kalojnë edhe ca muaj dhe do të vijë koha e volitshme”, thonë ata—madje, që nesër do të merren me gjëra serioze; por ora e tanishme është kaq e mbushur me angazhime dhe kaq e pavolitshme, saqë ata kërkojnë t’u bëhen lëshime.

Koha rrjedh ashtu si rëra në një orë xhami; jeta harxhohet pak nga pak dhe stinët e hirit humbasin në dremitje pa mbarim. Oh, u tregofshim të zgjuar, e kapshim orën fluturake dhe i përdorshim çastet që treten tutje! Na e mësoftë Zoti këtë urtësi të shenjtë, sepse përndryshe na pret varfëria më e tmerrshme nga të gjitha—varfëria e përjetshme, e cila do të digjet qoftë edhe për një pikë ujë, por më kot do të përgjërohet për të. Porsi grabitësi që e ndjek këmba-këmbës viktimën e vet, ashtu edhe varfëria e zë dembelin dhe shkatërrimi i rrëzon të pavendosurit: çdo orë e afron edhe më tepër ndjekësin e frikësuar; ai nuk ndalet askund gjatë rrugës, sepse kryen punën e të zotit, ja pse nuk duhet të vonohet. Porsi njeriu i armatosur që mësyn me pushtet e fuqi, kështu do të vijë nevoja te dembeli dhe vdekja tek i papenduari, duke i lënë ata pa asnjë rrugë shpëtimi.

Oh, sikur njerëzit të bëheshin të urtë dhe ta kërkonin me zell Zotin Jezus, përpara se të agojë dita solemne, kur do të jetë tepër vonë për të pluguar dhe për të mbjellë, tepër vonë për t’u penduar e për të besuar. Kur vjen koha e të korrave, është e kotë të qahesh se përse u la pas dore koha e të mbjellave. Tani për tani ka ende kohë për besim dhe për vendim të shenjtë. Qoftë kjo nata kur do t’i marrim ato!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin