Dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.
Hebrenjve 5:7
Sa e mahnitshme është kjo frikë nën dritën e mendimit të skëterrshëm se Ai ishte plotësisht i braktisur! Mbase mund të ketë edhe sprova më të këqija sesa kjo, por sigurisht që një nga më të këqijat është të jesh plotësisht i braktisur. “Pa shiko”, tha Satani, “ke mbetur vetëm e pa shokë! Yt Atë nuk ka më asnjë ndjenjë dhembshurie për ty. As edhe një engjëll i oborreve të Tij nuk do ta zgjasë dorën për të të ndihmuar. Mbarë qielli i ka mbyllur portat përpara Teje; Ti ke mbetur vetëm. Pa vështroji pak shokët e tu me të cilët ke bërë biseda të këndshme dhe më thuaj pak sa vlejnë ata? Bir i Marisë, shiko atje vëllanë tënd Jakob, pa hidhi një sy dishepullit tënd të dashur Gjon dhe apostullit tënd të guximshëm Pjetër, shiko se si flenë burracakët, ndërsa ti je i pushtuar nga vuajtjet! Pa shiko, nuk të ka mbetur asnjë mik, as në qiell e as në tokë. Gjithë ferri është ngritur kundër teje. Kam ngritur peshë mbarë shtëpinë time të skëterrshme. U kam dërguar letra të gjitha rajoneve, nuk kam lënë princ errësire pa e thirrur që të vërsulet kundër Teje sonte. Nuk do të kursejmë asnjë shigjetë dhe do ta përdorim tërë fuqinë tonë të ferrit për të të mposhtur; dhe çfarë do të bësh Ti vallë, o Vetmitar?”.
Një engjëll shfaqet për ta forcuar në mes të kësaj sprove mizore. “Ai u dëgjua për shkak të frikës së Tij nga Perëndia.” Ai nuk ishte më vetëm, por mbarë qielli ishte me Të. Mbase edhe kjo ka qenë arsyeja, përse shkoi tri herë te dishepujt e Tij.
Tri herë te dishepujt shkoi dhe erdhi,
Sikur të kishte nevojë për ndihmë njeriu.
Ai sikur donte ta shikonte me sytë e Vet nëse ishte e vërtetë që të gjithë njerëzit e kishin braktisur. I gjeti të gjithë në gjumë; por ndoshta e ngushëlloi sadopak mendimi se ata po flinin jo për shkak të tradhtisë, por për shkak të vuajtjes; megjithëse fryma ishte gati, mishi ishte i dobët. Sidoqoftë, në atë luginë të errët, Ai u dëgjua për shkak të frikës së Tij nga Perëndia. Shpirti im, nëse Jezusi u dëgjua në mes të sprovës së Tij më të rëndë, do të dëgjohesh edhe ti gjithashtu!
© dritez.al 2024