Mars 2023

Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlleu në Frymë…

Luka 10:21

Shpëtimtari ishte një “njeri i dhembjeve” (Isaia 53:3), por çdokush që e ka lexuar me pak vëmendje Shkrimin, ka zbuluar faktin se thellë në shpirtin e Tij Ai mbartte një thesar të pashtershëm gëzimi qiellor dhe të mirëfilltë. Nga gjithë raca njerëzore, nuk ka ekzistuar ndonjë njeri tjetër, i cili të kishte një paqe më të thellë, më të pastër dhe më të qëndrueshme sesa Zoti ynë Jezu Krisht. “Perëndia yt të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu” (Psalmi 45:7). Për vetë natyrën e saj, dashamirësia e Tij e madhe duhet t’i ketë falur Krishtit gëzimin më të thellë të mundshëm, sepse vetë dashamirësia është gëzim. Mirëpo, pati disa stinë të jashtëzakonshme kur ky ngazëllim u shfaq qartë. “Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlleu në Frymë dhe tha: ‘Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës’” (Luka 10:21). Krishti këndonte edhe në çastet e Tij të errëta. Megjithëse fytyra e Tij ishte e shpërfytyruar dhe e kishte humbur shkëlqimin e lumturisë njerëzore, ndonjëherë ajo ndriçohej nga shkëlqimi i pakrahasueshëm i kënaqësisë së parrëfyeshme tek mendonte për shpërblimin që e priste, dhe në mes të kuvendit [të shenjtorëve] i këndonte këngë lavdërimi Perëndisë. 

Në këtë aspekt, Zoti Jezus është një shëmbëlltyrë e bekuar e kishës së Tij mbi tokë. Në këtë orë, kisha pret të ecë me të njëjtin hap me Zotin e saj përgjatë rrugës plot gjemba, dhe përmes shumë vuajtjeve, ajo po e çan rrugën drejt kurorës. Mbajtja e kryqit është ofiqi i saj, ndërsa talljet dhe mosnjohja nga fëmijët e nënës së vet janë shorti i saj. Megjithatë, kisha ka një pus të thellë gëzimi, nga i cili nuk mund të pijë askush tjetër përveç fëmijëve të saj. Në mes të Jerusalemit tonë gjenden depo të fshehura vaji, drithi dhe vere, me anë të të cilave shenjtorët e Perëndisë furnizohen dhe ushqehen për jetë e mot. 

Disa herë, ashtu si në rastin e Shpëtimtarit tonë, edhe ne kemi stinët tona të ngazëllimit të thellë, sepse “është një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë” (Psalmi 46:4). Megjithëse jemi të syrgjynosur, ngazëllehemi në Mbretin tonë. Po, ne ngazëllehemi thellë, ndërsa në emrin e Tij lartojmë flamujt tanë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin