spurgeon dev 24 korrik pm
July 2023

Fushimi i tij është shumë i madh.

Joeli 2:11

Shqyrto, o shpirti im, plotfuqishmërinë e Zotit, i cili është lavdia dhe mbrojtja jote! Ai është një luftëtar i sprovuar; Jahveh ia thonë emrin. Të gjitha forcat e qiellit ndodhen nën urdhrat e Tij; legjione të tëra presin në derën e Tij; kerubimë dhe serafimë, rojtarë dhe të shenjtë, principata e pushtete, të gjitha këto i binden pa vonesë vullnetit të Tij. Po qe se sytë tanë nuk do të ishin verbuar nga pluhuri i mëkatit, do të mund t’i shihnim kuajt dhe qerret e zjarrta rreth shërbëtorëve të Zotit. Nuk ka fuqi natyrore që të mos i nënshtrohet kontrollit absolut të Krijuesit: murrlani dhe stuhia, vetëtima dhe shiu, bora dhe breshri, vesa e njomë dhe rrezet e hareshme të diellit, të gjitha këto vijnë e shkojnë sipas dekretit të Tij.

Ai zgjidh vargjet e Orionit dhe bashkon lidhjet e bukura të Plejadave (Jobi 38:31). Toka, deti, ajri dhe nëntoka janë vendstrehimet e ushtrive të pafund të Jahveh-ut; hapësira është fushimi i Tij, drita është flamuri i Tij dhe flaka është shpata e Tij. Kur Ai shkon të luftojë, zia e bukës e shkreton tokën, murtaja i godet kombet, uragani rreh detet, tufani i bën malet të dridhen, ndërsa tërmeti e bën botën e fortë të lëkundet.

Për sa u përket gjallesave, të gjitha ato e njohin sundimin e Tij, dhe duke filluar nga peshku i madh që e gëlltiti profetin e duke mbaruar me “një mori mizash” që pllakosën fushën e Tsoanit (Psalmi 78:43-45), të gjithë janë shërbëtorët e Tij, madje edhe vemjet dhe krimbat janë skuadronet e ushtrisë së Tij të madhe, sepse fushimi i Tij është shumë i madh. Shpirti im, bëj kujdes që të jesh në paqe me këtë Mbret të plotfuqishëm! Veç kësaj, bëj kujdes që të rreshtohesh në betejë poshtë flamurit të Tij, sepse të luftosh kundër Tij është çmenduri, por t’i shërbesh Atij është lavdi.

Jezusi, Emanueli, Perëndia me ne, është i gatshëm të pranojë rekrutë në ushtrinë e Zotit: në mos qofsha regjistruar tashmë, duhet të shkoj tek Ai përpara se të fle dhe t’i lutem që të pranohem në të në saje të meritave të Tij. Dhe në qoftë se tashmë jam pjesë në këtë ushtri, ashtu sikundër shpresoj se jam, duke qenë ushtar i kryqit, le të marr guxim, sepse armiku është i pafuqishëm në krahasim me Zotin tim, fushimi i të cilit është shumë i madh.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin