January 2023

Me siguri Ai do të të çlirojë nga laku i gjahtarit të shpendëve.

Psalmi 91:3

Perëndia i çliron njerëzit e Tij nga laku i gjahtarit të shpendëve në dy mënyra. Ka një çlirim parandalues, por ka edhe një shpëtues. Së pari, Ai i shpëton nga laku—pra, nuk i lë të bien në të; dhe së dyti, nëse ata bien në lak, Ai i nxjerr prej tij. Për disa, premtimi i parë është më i çmuari; për të tjerët, premtimi i dytë është më i miri. 

“Ai do të të çlirojë nga laku.” Si do ta bëjë këtë? Ndodh shpesh që Zoti i përdor andrallat si mjet për të na çliruar. Perëndia e di se zemërpërdalja shpejt do të na çojë drejt shkatërrimit dhe, i shtyrë nga mëshira, dërgon thuprën mbi ne. Ne themi: “Zot, përse ndodhi kjo?”, duke mos e ditur se halli që na zuri, ka qenë mjeti për të na shpëtuar nga një e keqe më e madhe. Të shumtë janë ata që i kanë shpëtuar kështu rrënimit, në sajë të vuajtjeve dhe kryqeve të tyre. 

Ka raste të tjera kur Perëndia i mban njerëzit e tij larg lakut të gjahtarit të shpendëve, duke i falur atyre fuqi të madhe frymërore, në mënyrë që, kur ata të tundohen për të bërë të keqen, të thonë: “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?” (Zanafilla 39:9). Mirëpo, sa bekim i madh është fakti që, edhe nëse vjen ora e ligë kur një besimtar bie në rrjetë, Perëndia do ta nxjerrë atë jashtë saj. 

O ti, zemërpërdalë, pikëllohu, por mos u dëshpëro! Ti që je endur sa andej-këtej, dëgjo se ç’të thotë Shpenguesi yt: “Kthehuni, o bij të përdalë, unë do të kem mëshirë për ju.” Mirëpo, ti thua se nuk mund të kthehesh, ngaqë je zënë rob. Atëherë dëgjoje premtimin e Tij—“Me siguri Ai do të të çlirojë nga laku i gjahtarit të shpendëve.” Ai do të të nxjerrë nga çdo e keqe ku ke rënë, dhe megjithëse nuk do të pushosh kurrë së u penduari për udhët e tua, prapëseprapë, Ai që të ka dashur, nuk do të të dëbojë. Ai do të të pranojë dhe do të të falë gëzim e hare, me qëllim që edhe kockat e thyera prej Tij të mund të galdojnë. Asnjë zog i parajsës nuk do të vdesë në rrjetën e gjahtarit të shpendëve.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>