“Kush do të hapë të çarën, do të ngjitet para tyre.”
Mikea 2:13
Duke qenë se Jezusi ka kaluar andej përpara nesh, gjërat nuk janë siç do të kishin qenë nëse Ai nuk do ta kishte përshkuar atë rrugë. Ai e ka mposhtur çdo armik që zinte udhën. Gëzohu me ngazëllim tani, o luftëtar zemërlëshuar! Jo vetëm që Krishti e ka përshkuar atë rrugë, por edhe i ka mposhtur armiqtë e tu. A i druhesh vallë mëkatit? Ai e ka gozhduar atë në kryqin e Vet. A i druhesh vallë mortjes? Ai u bë vdekja e Mortjes. A mos vallë i druhesh ferrit? Ai e ka mbyllur portën e tij për fëmijët e Vet; ata kurrë nuk do ta shohin honin e humbjes. Çfarëdo armiqsh që mund të ketë përpara të krishterit, të gjithë ata janë mposhtur. Ka luanë, por dhëmbët e tyre janë thyer; ka gjarpërinj, por dhëmbët e tyre helmues janë shkulur; ka lumenj, por ata janë të kalueshëm, ose mbi ta janë ndërtuar ura; ka zjarre, por ne veshim atë rrobë prej amianti që na bën të paprekshëm nga flakët.
Shpatës që është farkëtuar kundër nesh, tashmë i është topitur tehu; armët e luftës që po përgatit armiku, tashmë e kanë humbur majën e tyre. Në personin e Krishtit, Perëndia ia ka rrëmbyer fuqinë çdo gjëje që mund të na bënte keq. Atëherë, edhe ushtria mund të marshojë përpara e sigurt dhe ti mund ta vazhdosh rrugën me hare, sepse të gjithë armiqtë e tu janë mposhtur tashmë. Çfarë do të bësh tjetër veçse të marshosh për të marrë plaçkën e luftës? Ata janë të mundur, ata janë të mposhtur; gjithçka të mbetet të bësh është të ndash plaçkën e luftës. Është e vërtetë se shpesh do të përfshihesh në betejë, por do të përleshesh me një armik të mposhtur. Kokën e ka të shtypur; edhe pse ai mund të përpiqet të të plagosë, nuk do të ketë aq fuqi sa për ta realizuar planin e tij të ligë. Fitorja jote do të jetë e lehtë dhe thesari yt do të jetë i pamasë.
Shpall me zë të lartë të Shpëtimtarit famë,
Të cilit Fitimtar emrin ia thonë;
I bukuri emër sa mirë Atij i shkon,
Që duke dalë nga toka, mëkatin, vdekjen, ferrin dërrmon.
© dritez.al 2024