spurgeon dev 24 gusht pm
August 2023

“Në rast se një zjarr përhapet dhe shtrihet deri te ferrat, kështu që digjet gruri në duaj ose gruri në këmbë ose ara, ai që ka ndezur zjarrin do ta lajë dëmin.”

Eksodi 22:6

Por ç’larje dëmi mund të bëhet nga ai që ndez zjarrin e gabimit, ose që trazon thëngjijtë epshndjellës dhe i përflak shpirtrat e njerëzve me zjarrin e ferrit? Faji i tij ia kalon çdo përllogaritjeje, dhe pasoja është e pandreqshme. Edhe në qoftë se një shkelës i tillë do të falej, ai, prapëseprapë, do të përjetonte pikëllim, duke kuptuar që nuk mund t’i zhbëjë dot pasojat e sjelljes së vet të marrë! Një shembull i keq mund të ndezë një zjarr të cilin nuk kanë mundësi ta shuajnë dot as vite të tëra me një karakter të ndryshuar. T’u vësh zjarrin të korrave është diçka mjaft e keqe, por edhe më e keqe sesa kjo është të shkatërrosh të korrat e përjetshme! Mund të na bënte mirë po të reflektonim se sa i madh mund të ketë qenë faji ynë në të kaluarën, dhe të shqyrtonim nëse, edhe në të tashmen, mund të ketë aq ligësi brenda nesh, sa për të pasur prirjen që t’i dëmtojmë shpirtrat e të afërmve, miqve apo fqinjëve tanë.

Nuk ka mynxyrë më të ligë sesa kur zjarri i ndasive shpërthen në një kishë të krishterë. Kur ka të kthyer në besim dhe Perëndia përlëvdohet, do të zbulosh që xhelozia dhe zilia e bëjnë punën e djallit me më shumë efektshmëri. Atje ku ruhet gruri i artë i bekimit për të shpërblyer mundin e shërbëtorëve, zjarri i armiqësisë vjen dhe nuk lë asgjë tjetër pas, përveç tymit e hirit të zi. Mjerë ata njerëz përmes të cilëve vijnë skandalet! Mos ardhshin kurrë përmes nesh, pasi, edhe pse nuk e lajmë dot dëmin, me siguri që do të jemi ne ata që do të vuajmë më së shumti prej tyre nëse jemi po ne vetë shkelësit më të mëdhenj!

Ata që ushqejnë zjarrin, e meritojnë një qortim të mirë, por ai që e ndez i pari, mban fajin më të madh. Ndasitë zakonisht shfaqen së pari mes gjembave; ato ushqehen nga hipokritët dhe besimtarët sa për sy e faqe në kishë, dhe pastaj përhapen mes të drejtëve, të fryra nga erërat e ferrit, derisa nuk dihet se si mund t’i vejë halli kësaj pune. O Zot, dhënësi i paqes, bëna paqebërës, dhe kurrë mos na lër që të ndihmojmë dhe përkrahim ngatërrestarët, si dhe mos na lër që të shkaktojmë pa dashje as ndasitë më të vogla mes njerëzve të Tu!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>