“A doni edhe ju të largoheni?”
Gjoni 6:67
Të shumtë janë ata që e kanë braktisur Krishtin dhe që kanë pushuar së ecuri me Të; por ti, vallë, ç’arsye ke për ta ndjekur shembullin e tyre? A të ka ndodhur diçka në të kaluarën që të shtyn drejt një hapi të tillë? Vallë, a nuk ka qenë Jezusi më se i mjaftueshëm për ty? Ai të pyeti edhe këtë mëngjes: “A kam qenë vallë një shkretëtirë për ty?”. Sa herë që shpirti yt ka besuar vetëm në Jezusin, a je mposhtur ndonjëherë? A nuk e ke parë vallë Zotin tënd të sillet si një mik i dhimbsur dhe bujar me ty deri tani, dhe a nuk të ka falur vallë besimi i thjeshtë tek Ai gjithë paqen që do të dëshironte shpirti yt? A mund të ëndërrosh dot vallë për një mik më të mirë sesa Zoti Jezus? Atëherë, mos e ndrysho të vjetrin e të mirin mik për një të ri e të gënjeshtërt!
Sa për të tashmen, a mund të të bindë ajo që të heqësh dorë nga Krishti? Kur bota na e sjell në majë të hundës ose kur kalojmë mes sprovave më të ashpra brenda kishës, nuk ka gjë më të bekuar sesa të prehemi në supin e Shpëtimtarit tonë. Ky është gëzimi që ndiejmë sot—që jemi të shpëtuar në Të; dhe në qoftë se një gëzim i tillë na fal shumë kënaqësi, atëherë përse duhet vallë që të mendojmë për t’u larguar prej Tij? Kush është ai që e ndërron floririn me skorje? Nuk do ta hedhim dot poshtë diellin për sa kohë që nuk gjejmë dot një dritë më të mirë për ditën, dhe as nuk do ta braktisim Zotin tonë pa dalë dikush tjetër që të na dojë me më tepër zjarr sesa Ai; por meqenëse një gjë e tillë është afërmendsh e pamundur, do të mbahemi fort pas Tij me një shtrëngim të përjetshëm dhe do ta lidhim emrin e Tij si një shenjë mbi krahun tonë.
Sa i përket së ardhmes, a mund të tregosh qoftë edhe një arsye të vetme që mund të paraqitet, e cila do të të shtynte të ngrije krye kundër Tij ose të largoheshe nga radhët e ushtrisë së Tij për të shërbyer nën një komandant tjetër? Nuk mendoj se ka të tilla, sepse sado e gjatë që të jetë jeta, prapëseprapë nuk ka asnjë fije ndryshimi në Të. Në qoftë se jemi të varfër, ku ka më mirë sesa ta kemi Krishtin që na pasuron? Nëse jemi të sëmurë, ç’mund të kërkojmë më shumë veç Jezusit që na ngushëllon dhe na shëron? Kur të vdesim, a nuk është shkruar se “as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqitë dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme… nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:38-39)! Prandaj themi bashkë me Pjetrin: “Zot, te kush të shkojmë?” (Gjoni 6:68).
© dritez.al 2024