spurgeon dev 23 pm
October 2023

“Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim.”

Luka 22:46

Kur rrezikohet më shumë nga gjumi i krishteri? A nuk ndodh kjo kur rrethanat e tij të përkohshme janë të begata? A nuk e keni parë edhe vetë që kështu është, vallë? Kur kishe probleme të përditshme për t’i paraqitur para fronit të hirit, a nuk ishe më syçelë nga sa je tani? Rrugët e lehta i përgjumin shtegtarët. Një moment tjetër i rrezikshëm është edhe atëherë kur gjithçka shkon mirë në gjërat frymërore. Të krishterin nuk e zuri gjumi kur ia zunë rrugën luanët apo kur po kalonte lumin, apo kur po përleshej me Apolionin. Ama kur ishte në gjysmë të rrugës për në majë të Kodrës së Vështirësisë, arriti në një vend të këndshëm, u ul dhe menjëherë ra në gjumë, për të zezën dhe humbjen e vet.

Në tokën e magjepsur fryjnë fllade të këndshme, të mbushura me aroma erëmira dhe ndikime të buta, të gjitha me synimin për t’i vënë në gjumë shtegtarët. Pa kujtoje pak përshkrimin e Bunyan-it: “Atëherë ata mbërritën në një hije lisash të ngrohtë dhe që u ofronte ndjesi ripërtëritëse shtegtarëve të lodhur, sepse ishte e punuar mirë lart, e zbukuruar me blerim dhe e pajisur me stola dhe ndenjëse. Aty gjendej edhe një kanape e butë ku shtegtarët e lodhur mund të shtriheshin e të pushonin.” “Kjo hije lisash quhej ‘Miku i Përtacit’, dhe ishte krijuar qëllimisht që të joshte, po të ishte e mundur, disa prej shtegtarëve që të çlodheshin atje nga lodhja e rrugës.”

Dije mirë se njerëzit i mbyllin sytë dhe enden tutje-tëhu në tokën ëndërrake të harresës pikërisht kur gjenden në vendet e lehta. I moçmi Erskine e pati mirë kur tha: “Ma ka më shumë ënda djallin që bulurin, sesa shejtanin që fle.” Nuk ka tundim më të rrezikshëm, sesa kur nuk ndeshesh me asnjë tundim. Shpirti i trazuar nuk vë gjumë në sy, por pasi hyjmë në gjendjen e vetëbesimit plot paqe dhe plot siguri, atëherë rrezikojmë që të dremisim. Dishepujt ranë në gjumë pasi e kishin parë Jezusin të shpërfytyruar në majë të malit. Ki kujdes, o i krishterë i gëzuar, sepse ditët e lehta janë fqinje me tundimet: Qofsh i lumtur sa më s’ka—por mos harro t’i mbash sytë hapur! 


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>