…na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij…*
Efesianëve 1:6
Ç’status i privilegjuar që është ky! Ai përfshin drejtësimin tonë përpara Perëndisë, por termi “pëlqim” në greqisht ka kuptim më të gjerë se kaq. Ky term do të thotë që ne jemi objektet e kënaqësisë hyjnore, madje edhe të gëzimit hyjnor. Sa i mrekullueshëm është ky fakt që ne—krimba, vdekatarë dhe mëkatarë—të jemi kthyer në objekte të dashurisë hyjnore!
Mirëpo, ky pëlqim është vetëm “në të Dashurin”. Disa të krishterë duket sikur ndihen të pëlqyer vetëm në përjetimin e tyre—të paktën kjo është mënyra se si e kuptojnë ata një gjë të tillë. Kur fryma e tyre është e gjallëruar dhe shpresat i kanë të zjarrta, ata mendojnë se Perëndia i pranon, sepse ndihen kaq mirë, kaq të etur për gjërat frymërore dhe kaq të shkëputur nga bota! Mirëpo, kur shpirtrat e tyre puthin pluhurin, ata bien pre e frikës se mos nuk janë më të pranuar. Sikur vetëm ta kuptonin se të gjitha gëzimet e tyre më të mëdha nuk e rrisin, dhe se të gjitha dëshpërimet e tyre nuk e poshtërojnë dot pozitën e tyre në sytë e Atit, por se janë të pëlqyer në Atë që nuk ndryshon kurrë, në Atë që është përgjithnjë Shumë i Dashuri i Perëndisë, përgjithnjë i përsosur, përgjithnjë pa njolla a rrudha, a të tjera si këto. Sa më të lumtur do të ishin dhe sa më tepër do ta nderonin Shpëtimtarin e tyre nëse do ta kuptonin Atë!
Gëzohu, pra, o besimtar, në këtë: ti je bërë i pëlqyer “në të Dashurin”! Ti shqyrton veten dhe thua: “Nuk ka asgjë të pëlqyeshme këtu!”. Mirëpo, hidhe vështrimin te Krishti dhe shiko nëse gjithçka nuk është e pëlqyer atje! Mëkatet e tua të turbullojnë; mirëpo, Perëndia i ka hedhur ato pas shpine, dhe ti je bërë i pëlqyer dhe i bekuar në të Drejtin. Ende të duhet të luftosh me prishjen dhe të përleshesh me tundimin, por ti tashmë je bërë i pëlqyer në Atë që i mposhti fuqitë e ligësisë. Mos e prish terezinë kur djalli të tundon—ai nuk mund të të shkatërrojë dot, sepse je bërë i pëlqyer në Atë që ia ka thyer kokën Qoftëlargut!
Bëhu i vetëdijshëm me siguri të plotë për pozitën tënde të lavdishme! Madje edhe shpirtrat e përlëvduar nuk janë më të pëlqyer sesa ti vetë. Ata janë të pranuar në qiell vetëm “në të Dashurin”, edhe ti je madje që tani i pranuar në Krishtin në të njëjtën mënyrë.
*Shënim i redaktorit: Vargu është marrë nga Bibla “Diodati i ri”, përkthimi 1991-1994 .
© dritez.al 2024