spurgeon dev 23 shtator pm
September 2023

Dhe Jezusi i tha: “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson”.

Marku 9:23

Dikush kishte një djalë që hiqte shumë, i cili torturohej nga një frymë që e kishte lënë memec. Pasi e kishte parë padobishmërinë e përpjekjeve të dishepujve për t’ia shëruar fëmijën, i ati kishte pak ose aspak besim në Krishtin. Për rrjedhojë, kur i thanë ta sillte fëmijën përpara Tij, ai i tha Jezusit: “Nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!”. Shohim, pra, se kërkesa e tij përmbante një “nëse”, por ati i gjorë që dridhej, e kishte vënë atë lidhëz në vendin e gabuar. Megjithatë, Jezu Krishti, pa i kërkuar që ta merrte mbrapsht atë “nëse”, me dashamirësi e vendosi atë në vendin e duhur. Duket sikur Ai po thoshte: “Në të vërtetë, nuk duhet të përdorësh asnjë “nëse” për sa i përket fuqisë Sime, as për sa i përket gatishmërisë Sime; “nëse”-ja qëndron diku tjetër. Nëse ti mund të besosh, ‘çdo gjë është e mundshme për atë që beson.’"

Besimi i burrit u forcua; ai bëri një lutje të përulur që t’i shtohej besimi, dhe pa humbur kohë, Jezusi shpalli fjalën, dhe kështu shejtani u shporr, duke marrë urdhër që të mos kthehej kurrë prapa. Këtu ka një mësim të cilin kemi nevojë ta dimë. Edhe ne, porsi ky burrë, shpesh shohim që ka një “nëse” diku, por vazhdimisht gabojmë duke e vendosur atë vendin e gabuar. “Nëse Jezusi mund të më ndihmojë”; “nëse mund të më japë hir për ta përballuar tundimin; “nëse mund të më falë”; “nëse mund të më bëjë të suksesshëm.” Jo; nëse ti mund të besosh, sepse Ai edhe mundet, edhe dëshiron. Je ti ai që e ke vendosur “nëse”-në tënde në vendin e gabuar. Nëse beson me besë të përnjëmendtë, ashtu sikurse çdo gjë është e mundshme për Krishtin, po kështu çdo gjë do të jetë e mundshme edhe për ty. Besimi qëndron në fuqinë e Perëndisë dhe është i mbuluar me madhështinë e Perëndisë. Vishet me petka mbretërore dhe kalëron mbi kalin e Mbretit, pasi është hiri të cilin Mbreti e nderon me ëndje. I ngjeshur me fuqinë e lavdishme të Frymës gjithëvepruese, ai bëhet, falë gjithëfuqishmërisë së Perëndisë, i fuqishëm për të bërë, për të guxuar dhe për të vuajtur. Të gjitha gjërat, pa përjashtim, janë të mundura për atë që beson. Shpirti im, a mund t’i besosh Zotit tënd sonte?


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>