23 shkurt

Shkurt 2022


Shumë të krishterë në botë sot, nuk e njohin rrezikun jetëkërcënues që vjen bashkë me besimin në Krishtin. Ne jemi mësuar të jemi të lirë nga një përndjekje e tillë. Kjo duket sikur është mënyra si duhet të jenë gjërat.

Prandaj, reagimi ynë i parë ndaj kërcënimit që gjërat mund të jenë ndryshe, shpesh është zemërimi. Sidoqoftë, ai zemërim mund të jetë një shenjë që e kemi humbur ndjesinë e të qenët të huaj dhe shtegtarë (“Të dashur, po ju nxis, si të huaj dhe shtegtarë...” (1 e Pjetrit 2:11).

Ndoshta jemi rehatuar së tepërmi në këtë botë. Nuk ndihemi aq të përmalluar për Krishtin sa edhe Pali: “Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim me durim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht” (Filipianëve 3:20).

Shumë nga ne kemi nevojë të na kujtojnë: “Të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju, se si ju ndodhi diçka e çuditshme” (1 e Pjetrit 4:12). Nuk është e çuditshme.

A e ke vrarë ndonjëherë mendjen se si do t’ia bësh në orën e sprovës finale? Përfytyro që të kanë vënë koburen në kokë dhe të thonë: “A je i krishterë?” Ja një fjalë e fortë për të të dhënë shpresë që mund t’ia dalësh më mirë nga sa e mendon.

Pjetri thotë: Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishti, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju” (1 e Pjetrit 4:14). Ky inkurajim nga Pjetri thotë se në orën e kërcënimit të pazakontë (qoftë poshtërim apo vdekje), “Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë” do të “prehet” mbi ne. A nuk do të thotë kjo se Perëndia u jep ndihmë të veçantë në orën e krizës, atyre që vuajnë për shkak se janë të krishterë?

Nuk dua të them se Ai nuk është pranë jush në vuajtjet tona të tjera. Thjesht po them se Pjetri bëri çmos për të thënë se ata që vuajnë “për emrin e Krishtit”, do të përjetojnë një “prehje” të veçantë të “Frymës së lavdisë dhe Frymës së Perëndisë”.

Lutu që ky të jetë përjetimi yt kur të vijë sprova. Në atë moment, do të kemi burime qëndrueshmërie, të cilat nuk i kemi në ndonjë rast tjetër. Merr zemër!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia