“Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.”
Hebrenjve 13:5
Nuk ka asnjë premtim që të vlejë për një person të vetëm. Çdo gjë që Perëndia ia ka premtuar një shenjtori, Ai ua ka premtuar të gjithëve. Nëse e hap një burim për njërin, këtë e bën që të gjithë të mund të pinë prej tij. Kur Ai hap derën e hambarit për të shpërndarë ushqime, mbase mund të ketë ndonjë person shumë të uritur përpara saj, i cili është arsyeja e hapjes së derës, por të gjithë të uriturit mund të vijnë dhe të ushqehen gjithashtu. Nuk ka rëndësi, o besimtar, nëse Ai ia dha fjalët Moisiut apo Abrahamit, sepse ato fjalë Ai t’i ka dhënë edhe ty, si një prej pasardhësve të besëlidhjes që je.
Nuk ka asnjë bekim të madh, që të jetë shumë i lartë për ty, apo mëshirë të pakufishme, që të jetë shumë e gjerë për ty. Shtrije vështrimin në veri dhe në jug, në lindje dhe në perëndim, sepse gjithçka që ta kap syri, është jotja! Ngjitu në majë të malit dhe shtrije vështrimin deri në skajet e horizontit të premtimit hyjnor, sepse e gjithë toka është jotja! Nuk ka asnjë burim uji të gjallë prej të cilit nuk mund të pish. Nëse toka rrjedh mjaltë dhe qumësht, haje mjaltin dhe pije qumështin, sepse të dy janë të tutë. Ji guximtar dhe beso, sepse Ai ka thënë: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis”!
Në këtë premtim, Perëndia u jep gjithçka njerëzve të Tij. “[Unë] nuk do të të lë.” Kjo do të thotë se asnjë atribut i Perëndisë nuk do të mbetet pa u angazhuar për ne. Vallë, a nuk është Ai i fuqishëm? Atëherë, Ai do ta dëshmojë fuqinë e Tij për të mirën e atyre që besojnë në Të. Vallë, a nuk është Ai dashuri? Atëherë, me dashamirësi, Ai do të ketë mëshirë për ne. Pavarësisht se nga cilat atribute mund të përbëhet karakteri i Hyjnisë, secili prej tyre do të angazhohet pa rezerva në dispozicionin tënd.
Për ta përmbledhur, nuk ka asgjë që mund të dëshirosh, nuk ka asgjë që mund të kërkosh, nuk ka asgjë që mund të të nevojitet në këtë kohë ose në përjetësi, nuk ka asgjë të gjallë apo të vdekur, nuk ka asgjë në këtë botë dhe në atë që do të vijë, nuk ka asgjë tani, dhe as në mëngjesin e ringjalljes, nuk ka asgjë në qiell, që nuk përfshihet në këtë varg: “[Unë] nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.”
© dritez.al 2024