Shkurt 2023

“…ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë.”

Luka 9:23

Nuk të takon ty që ta bësh kryqin tënd, megjithëse mosbesimi është një zdrukthëtar i mbaruar për të bërë kryqe; nuk të lejohet as ta zgjedhësh kryqin tënd, megjithëse kryeneçësia dëshiron të jetë zoti dhe padroni yt. Në fakt, kryqi yt është përgatitur dhe caktuar për ty nga dashuria hyjnore, dhe ti duhet ta pranosh me gëzim. Duhet ta mbash atë kryq si shenjën dalluese dhe barrën tënde, dhe të mos rrish duke u ankuar. 

Sonte, Jezusi të urdhëron që ta pranosh zgjedhën e Tij të lehtë mbi shpatullat e tua. Mos e shkelmo atë me zemërim; mos shkel mbi të me krenari; mos u dorëzo përpara tij me dëshpërim; mos u largo prej tij i shtyrë nga frika, por merre atë mbi supe si një dishepull i vërtetë i Jezusit! 

Jezusi ishte mbajtës i kryqit dhe duke qenë i tillë, të udhëheq në udhën e vuajtjes. Vërtet nuk ke ku gjen një udhërrëfyes më të mirë sesa Ai! A ka ndonjë barrë më fisnike që mund të dëshirosh, duke e ditur se edhe Ai vetë e ka mbajtur kryqin? Rruga e Kryqit (Via Crucis) është udha e sigurisë. Mos u druaj të ecësh në xhadenë e saj të mbuluar nga gjembat! Shumë i dashur, kryqi nuk është as prej puplash dhe as i veshur me mëndafsh. Ai është i rëndë dhe poshtërues për shpatullat e pabindura, por nuk është një kryq i hekurt, megjithëse makthet e tua e portretizojnë atë si prej hekuri. Është një kryq i drunjtë dhe një njeri mund ta mbajë atë, sepse Njeriu i Vuajtjes e provoi peshën i pari. 

Merre kryqin tënd dhe në sajë të fuqisë së Frymës së Perëndisë shumë shpejt do ta duash kaq shumë atë, saqë ashtu si Moisiu nuk do ta ndërrosh qortimin e Krishtit as me mbarë thesaret e Egjiptit. Kujto që atë e mbajti Jezusi; kujto se shpejt kryqi do të pasohet nga kurora dhe mendimi i peshës së ardhshme të lavdisë do të ta lehtësojë ndjeshëm rëndesën e tanishme të vështirësive. 

Zoti të ndihtë që ta përkulësh shpirtin në nënshtrim përpara vullnetit hyjnor para se të shkosh në shtrat sonte, me qëllim që duke u zgjuar me diellin e së nesërmes, ta marrësh kryqin e ditës me shpirtin e nënshtruar dhe të shenjtë, që i shkon për shtat një dishepulli të të Kryqëzuarit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin