spurgeon dev 23 qershor am
Qershor 2023

Efraimi është një kulaç i pakthyer.

Osea 7:8

Një kulaç i pakthyer është i papjekur nga njëra anë; i tillë ishte edhe Efraimi, sepse, në shumë aspekte, nuk ishte prekur nga hiri hyjnor: megjithëse karakterizohej nga bindja e pjesshme, në gjirin e tij fshihej shumë rebelim. Shpirti im, të përgjërohem, bëj kujdes nëse edhe ti je i tillë! A je ti vallë i përsosur në gjërat e Perëndisë? A ka mbërritur vallë hiri deri në qendër të qenies sate, aq sa të ndihet veprimi i tij hyjnor në të gjitha fuqitë, veprimet, fjalët dhe mendimet e tua? Qëllimi dhe lutja jote duhet të jenë që të shenjtërohesh frymë, shpirt dhe trup; dhe megjithëse shenjtërimi mund të mos jetë përsosur në ty, ai, prapëseprapë, duhet të jetë duke vepruar në ty. Nuk duhet të kesh dukjen e shenjtërisë në një pjesë tënden, dhe mëkatin që mbretëron në një pjesë tjetër; përndryshe edhe ti do të jesh një kulaç i pakthyer.

Një kulaç i pakthyer shpejt do të digjet në anën më afër zjarrit. Kjo do të thotë se, megjithëse askush nuk ka besim të tepërt, janë ca e ca që janë përcëlluar nga zelli fanatik për atë pjesë të së vërtetës që mbitheksojnë; të tjerë janë bërë shkrumb nga ushtrimi publik me mburrje prej fariseu i atyre shërbesave fetare që u shkojnë pas qejfit. Një shfaqje e shtirë shenjtërie sublime shpesh shoqëron një mungesë të plotë të perëndishmërisë jetësore. Shenjtori para botës, është një djall në jetën e tij private. Një njeri i tillë të vret natën e të qan ditën. Kulaçi që është djegur nga njëra anë, është brumë në tjetrën.

Kjo është e vërtetë edhe për mua, Zoti Jezus; kthemë! Ktheje natyrën time të pashenjtëruar nga ana e zjarrit të dashurisë Sate dhe le të marrë ajo një faqe nga rrezatimi i shenjtë, por bëj që ana ime e djegur të ftohet pak, teksa njihem me dobësitë e mia dhe ndiej mungesën e nxehtësisë kur largohem nga flaka Jote qiellore. Le të mos jem një njeri me dy mendje, por dikush që është kokë e këmbë nën ndikimin e fuqishëm të hirit mbretërues. Unë e di shumë mirë se, nëse mbetem si një kulaç i pakthyer, dhe nuk prekem nga hiri Yt në të dyja anët, atëherë do të digjem përjetësisht në flakët e amshueshme.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin