spurgeon dev 23 qershor pm
Qershor 2023

Duke pritur me durim birërimin.

Romakëve 8:23

Shenjtorët janë fëmijët e Perëndisë edhe në këtë botë, por e vetmja mënyrë me anë të së cilës njerëzit do ta zbulojnë këtë, është përmes disa karakteristikave morale të caktuara. Birërimi nuk është diçka që shfaqet dukshëm; fëmijët e Perëndisë nuk janë shpallur ende botërisht. Mes romakëve, një burrë mund ta birësonte një fëmijë dhe ta mbante të fshehtë një gjë të tillë për një kohë të gjatë; mirëpo, ekzistonte edhe një formë tjetër birësimi, kjo e dyta në publik; kur fëmija paraqitej përpara autoriteteve ligjore, i hiqeshin rrobat e vjetra dhe ati i tij birësues e vishte me petka që i përshtateshin statusit të tij të ri shoqëror. “Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, dhe ende nuk është shfaqur ç’do të jemi” (1 e Gjonit 3:2). Ende nuk i kemi veshur petkat që i kanë hije familjes mbretërore të qiellit. Në këtë trup mbajmë veshur të njëjtat petka që mbanim si bij të Adamit. Mirëpo, ne e dimë mirë se “kur të shfaqet ai”, i cili është “i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve” (Romakëve 8:29), edhe ne do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim Atë sesi është.

A mund ta imagjinosh vallë një fëmijë që merrej nga shtresat më të ulëta të shoqërisë dhe birësohej nga një senator romak, tek thotë me vete: “Mezi pres të vijë dita kur do të birësohem publikisht. Atëherë do t’i zhvesh këto rroba prej plebeu dhe do të vishem me petkat që i takojnë rangut tim prej senatori”? I lumtur për atë që ka marrë tashmë, ai vuan ende në pritje të marrjes së plotësisë të asaj që i është premtuar. Kështu ndodh edhe me ne sot. Po presim derisa të veshim rrobat tona të reja dhe të shpallemi si fëmijë të Perëndisë, në mënyrë që të gjithë ta shohin. Jemi fisnikë të rinj dhe nuk i kemi vënë ende kurorat. Jemi të fejuara, në pritje të ditës së dasmës, dhe për shkak të dashurisë që kemi për të fejuarin tonë, digjemi nga dëshira për ardhjen e mëngjesit të asaj dite. Vetë lumturia jonë na shtyn të gulçojmë edhe më shumë; kurse gëzimi ynë, si një burim i fryrë, digjet nga dëshira për të gufuar si një shatërvan që kërcen drejt qiejve, duke ofsharë dhe psherëtirë brenda shpirtit tonë, për shkak të mungesës së hapësirës dhe vendit, përmes së cilëve t’u zbulohet njerëzve.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin