Por në të gjitha këto jemi më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi.
Romakëve 8:37
Shkojmë te Krishti për të marrë faljen dhe paskëtaj ndodh shumë shpesh që i drejtohemi ligjit të na japë fuqi, për të luftuar mëkatet tona. Për këtë arsye, Pali shpreh këtë qortim: “O galatas të pamend! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës? … Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën prej veprave të ligjit, apo prej të dëgjuarit të besimit? A jeni kaq të pamend saqë, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni tani në mish?” (Galatasve 3:1-3). Çojini mëkatet tuaja te kryqi i Krishtit, sepse ai është i vetmi vend ku mund të kryqëzohet mishi: ne jemi kryqëzuar me Të. Kundër mëkatit mund të luftojmë vetëm me një armë, dhe ajo është heshta që shpoi ijën e Jezusit.
Për shembull—nëse doni të ndryshoni natyrën tuaj zemërake, si mund ta bëni një gjë të tillë? Ka shumë gjasa që të mos ia keni paraqitur ndonjëherë këtë problem Jezusit në mënyrën e duhur. Mirëpo, vallë, si e mora shpëtimin? Shkova te Jezusi ashtu siç isha dhe i besova Atij që të më shpëtonte. Duhet të veproj në të njëjtën mënyrë për ta vrarë edhe natyrën time zemërake, madje kjo është e vetmja mënyrë se si mund ta vras atë. Duhet të shkoj bashkë me të te kryqi dhe t’i them Jezusit: “Zot, të besoj Ty që të më çlirosh nga ky problem.” Kjo është e vetmja mënyrë për t’i dhënë atij një goditje vdekjeprurëse.
A mos je vallë lakmitar? A e ndien që je mpleksur me botën? Mund të luftosh kundër kësaj së lige sa të duash, por nëse ky është mëkati që të skllavëron, nuk mund të çlirohesh kurrë prej tij në asnjë lloj mënyre tjetër, përveçse me anë të gjakut të Jezusit. Çoje atë te Krishti! Thuaji Atij: “Zot, kam besuar në Ty dhe Ti quhesh Jezus, sepse Ti i shpëton njerëzit e Tu nga mëkatet e tyre. Zot, ky është një nga mëkatet e mia; më shpëto prej tij!”.
Mjetet e hirit, si një instrument mëkatmbytës, nuk japin asnjë rezultat pa Krishtin. Lutjet, pendesat dhe lotët e tu—edhe po t’i mbledhim të gjitha së bashku—nuk kanë asnjë vlerë pa Jezusin. Vetëm Jezusi mund t’u bëjë të mirën mëkatarëve të pafuqishëm, po ashtu edhe shenjtorëve të pafuqishëm. Duhet të jesh fitimtar përmes Atij që të ka dashur, ndryshe nuk do të jesh fare fitimtar. Dafinat e fitores sonë duhet të rriten mes ullinjve të Tij në Gjetsemani.
© dritez.al 2024