Dhe pashë, dhe ja në mes të fronit dhe të katër qenieve të gjalla dhe në mes të pleqve, qëndronte një Qengj si i therur.
Zbulesa 5:6
Përse duhej që Zoti ynë i lartësuar, të shfaqej në lavdi bashkë me plagët e Tij? Plagët e Jezusit janë vetë lavditë e Tij, xhevahiret e Tij dhe stolitë e Tij të shenjta. Për syrin e besimtarit, Jezusi është tërheqës në çdo anë. Në sytë tanë, Ai është zambaku i dëlirësisë së pashoqe dhe trëndafili i skuqur nga vetë gjaku i Tij. Ne e soditim bukurinë e Krishtit në gjithë shtegtimin e Tij tokësor, megjithatë, bukuria e Tij ishte e pakrahasueshme kur Ai gjendej i gozhduar mbi kryq. Vetëm aty e soditëm përsosurisht gjithë bukurinë e Tij, aty u shpalosën të gjitha atributet e Tij, aty u derdh e gjithë dashuria e Tij, aty u shfaq karakteri i Tij.
Shumë i dashur, plagët e Jezusit janë shumë më të hijshme për sytë tanë, sesa mbarë shkëlqimi dhe salltanetet e mbretërve. Kurora e gjembave është më e çmuar sesa një diademë perandorake. Është e vërtetë se Ai tashmë nuk mban më në duar skeptrin prej kallami, por ky kallam poshtërimi rrëzëllente me një lavdi të tillë, e cila nuk qe parë ndonjëherë në asnjë skeptër prej ari. Pamja prej Qengji të therur është petku mbretëror, të cilin Jezusi e kishte veshur kur i tërhoqi shpirtrat tanë dhe i shpengoi ata me anë të shlyerjes së Tij të plotë. Mirëpo, këto nuk janë vetëm stolitë e Krishtit, por edhe trofetë e dashurisë dhe fitores së Tij. Ai e ka ndarë plaçkën me më të fortët dhe ka shpenguar për Vete një shumicë të panumërt njerëzish, të cilën askush nuk mund ta numërojë dot, dhe këto vurrata të Tij janë kujtimet e betejës. Ah, nëse Krishti e ka kaq për zemër ta ruajë kujtimin e vuajtjeve për popullin e Vet, sa më të çmuara duhet të jenë plagët e Tij për ne!
Shiko se si çdo plagë e Tij
Balsam të çmuar kullon,
Shëron vurratat që mëkati pat’ lënë,
Të tmerrshmet sëmundje të gjitha i mjekon.
Të Tijin hir ato plagë predikojnë;
Të së Tijës dashuri simbole janë;
Lumturinë tonë të pritshme vulosin,
Në parajsë atje lart.
© dritez.al 2024