spurgeon dev 23 nëntor am
November 2023

Bashkësi me Të.

1 e Gjonit 1:6

Kur u bashkuam me Krishtin përmes besimit, u lidhëm me Të në një përbashkësi kaq të thellë, saqë u bëmë një me Zotin tonë, ndërsa interesat e Tij dhe tonat u bënë të përbashkëta dhe të njëjta.

Kemi përbashkësi me Krishtin në dashurinë e Tij. Ne duam atë që do edhe Ai. Ai i do shenjtorët—po ashtu edhe ne. Ai i do mëkatarët—po ashtu edhe ne. Ai e do racën e gjorë njerëzore që po rend drejt humbjes, dhe digjet nga dëshira për t’i parë shkretëtirat e rruzullit të shndërrohen në kopshtin e Zotit—po ashtu edhe ne.

Kemi përbashkësi me Të në dëshirat e Tij. Ai dëshiron lavdinë e Perëndisë—për të njëjtën gjë punojmë edhe ne. Ai dëshiron që besimtarët të jenë me Të aty ku është Ai—edhe ne kemi të njëjtën dëshirë. Ai dëshiron që ta shporrë tutje mëkatin—ja, edhe ne luftojmë nën flamurin e Tij. Ai dëshiron që të gjitha krijesat ta duan dhe ta adhurojnë emrin e Atit të Tij—ja pse lutemi përditë: “Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.”

Kemi përbashkësi me Krishtin në vuajtjet e Tij. As jemi gozhduar në kryq dhe as vdesim nga një vdekje mizore, por kur Zoti ynë përçmohet, përçmohemi edhe ne; madje është shumë bukur kur fajësohemi për hir të Tij, kur përbuzemi se e ndjekim Mësuesin dhe kur e kemi gjithë botën kundër për këtë arsye.

Dishepulli nuk duhet të dalë mbi Zotin e vet. Me aq sa mundemi, marrim pjesë me Të në punët e Tij, duke u shërbyer njerëzve me fjalën e së vërtetës dhe me vepra dashurie.

Ushqimi ynë dhe pija jonë, ashtu si edhe të Tijat, është të bëjmë vullnetin e Atij që na dërgoi dhe të kryejmë punën e Tij.

Kemi përbashkësi me Krishtin edhe në gëzimet e Tij. Jemi të lumtur në lumturinë e Tij; gëzohemi në ngazëllimin e Tij. A e ke shijuar ndonjëherë atë lloj gëzimi, o besimtar? Nuk ka kënaqësi më të dëlirë apo më të hareshme që mund të përjetohet në këtë anë të qiellit, sesa kur gëzimi i Krishtit përmbushet në ne, me qëllim që gëzimi ynë të jetë i plotë. Lavdia e Tij na pret që ta bëjë të plotë përbashkësinë tonë, sepse Kisha e Tij do të ulet bashkë me Të mbi fronin e Tij, si bashkëshortja dhe mbretëresha e Tij shumë e dashur.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin