spurgeon dev 23 nëntor pm
November 2023

Ngjitu mbi një mal të lartë!

Isaia 40:9

Çdo besimtar duhet të jetë i etur për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë, të dëshirojë me gjithë shpirt t’i ngjitet malit të Zotit dhe ta shohë Atë ballë për ballë. Ne nuk duhet të mbetemi të kënaqur me jetën mes mjegullës së luginave kur na thërret maja e malit. Shpirti im digjet nga dëshira për të pirë me bollëk nga kupa që është vënë mënjanë për ata të cilët mbërrijnë në majën e malit dhe e lajnë ballin në qiell. Sa e kulluar është vesa e kodrave; sa i freskët është ajri i malit; sa i bollshëm është ushqimi i atyre që banojnë aty lart, dritaret e të cilëve shikojnë për nga Jerusalemi i Ri!

Të shumtë janë shenjtorët që kënaqen duke jetuar si minatorët në minierat e qymyrit, të cilët nuk e shohin dritën e qiellit. Ata hanë pluhur si gjarpri kur mund të shijonin ushqimin e engjëjve; ata kënaqen duke mbajtur veshur kominoshet e minatorit kur mund të vishnin petkat e mbretit; lotët ua shpërfytyrojnë fytyrat kur mund t’i vajosnin me vaj qiellor. Jam i bindur se një besimtar dergjet në birucë, atëherë kur mund të ecë në çatinë e pallatit dhe të shohë prej andej tokën e bekuar. Ngrihu, o besimtar, nga pluhuri ku dergjesh! Flake tej përtacinë, letargjinë dhe ftohtësinë tënde, apo gjithçka tjetër që e pengon dashurinë tënde të dëlirë e të pastër për Krishtin, Bashkëshortin e shpirtit tënd! Bëje Atë burimin, qendrën dhe perimetrin e rrethit të kënaqësive të shpirtit tënd!

Çfarë të ysht kaq shumë që të dergjesh në gropë kur mund të ulesh majë fronit? Mos jeto në ultësirën e skllavërisë tani që të është falur liria për t’u ngjitur majë malit! Mos mbetsh i kënaqur me arritjet e tua të vockla, por bëj përpara drejt gjërave më sublime e më qiellore! Ëndërro një jetë më të lartë, më fisnike dhe më të plotë!

Në drejtim të qiellit! Më pranë Perëndisë!
Kur do të vish tek unë, o Zot?
Oh, eja, o Zoti im i dashur!
Afrohu pranë meje, gjithnjë e më pranë,
Sa i bekuar jam kur afër të kam!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin