“Unë po ju them se, nëse këta do të heshtnin, do të bërtisnin gurët.”
Luka 19:40
Mirëpo, a mund të bërtasin gurët? Sigurisht që po, sidomos nëse Ai i cili i zgjidh gojën memecit, i urdhëron që ta ngrenë zërin. Sikur të kishin mundësi të flisnin, me siguri do t’i thurnin lavde pafund Atij që i krijoi përmes fjalës së fuqisë së Tij; ata do të mund të lartësonin urtësinë dhe fuqinë e Krijuesit të tyre, i cili i krijoi nga asgjëja. A nuk do të flasim edhe ne fjalë të mira për Atë që na bëri krijesa të reja dhe ngriti bij të Abrahamit edhe nga gurët?
Shkëmbinjtë e lashtë mund të na rrëfejnë për kaosin dhe rregullin, dhe për veprën e duarve të Perëndisë në fazat e njëpasnjëshme të dramës së krijimit. Po ne, a nuk mund të flasim vallë për dekretet e Perëndisë, për veprat e mëdha të Perëndisë qysh prej së lashti, dhe për gjithçka që Ai bëri për kishën e Tij përpara agimit të kohërave? Sikur gurët të flisnin, do të mund të na tregonin për gurgdhendësin e tyre, se si i nxori nga gurorja dhe i gdhendi që të vendoseshin në tempull. Po ne, a nuk mund të flasim vallë për Gurgdhendësin tonë të lavdishëm, i cili na i theu zemrat me çekanin e Fjalës së Tij, me qëllim që me ne të ndërtonte tempullin e Tij? Në qoftë se gurët do të bërtisnin, do të lartësonin ndërtuesin e tyre, i cili i lëmoi dhe u dha formën e një pallati të bukur. Po a nuk mund të flasim ne vallë për Arkitektin dhe Ndërtuesin tonë, i cili na ka vendosur në vendin tonë, në tempullin e Perëndisë së gjallë? Sikur gurët të mund të bërtisnin, do të kishin një histori të gjatë, shumë të gjatë, për të rrëfyer në formën e përkujtimoreve, sepse ka ndodhur shpesh që një gur i madh është vendosur si një përkujtimore përpara Zotit; por dhe ne kemi ç’të dëshmojmë për ata gurë ndihme dhe ato shtylla kujtese.
Gurët e thyer të ligjit bërtasin kundër nesh, por vetë Krishti i cili e ka rrokullisur gurin e madh nga hyrja e varrit, flet në mbrojtjen tonë. Gurët edhe mund të bërtasin, por ne nuk do t’i lejojmë: do ta mbytim zhurmën e tyre, ndërsa shpërthejmë në një këngë të shenjtë dhe bekojmë madhështinë e Shumë të Lartit; ne do ta përlëvdojmë përditë e për mot Atë të cilin Jakobi e quajti Bariun dhe Shkëmbin e Izraelit.
© dritez.al 2024