Ti ishe si një prej tyre.
Abdia 1:11
Edomi i detyrohej Izraelit mirësi vëllazërore në një kohë nevoje, por, në vend të kësaj, burrat e Esaut iu bashkuan armiqve të Izraelit. Në këtë fjali, vihet një theks i veçantë mbi fjalën “ti”, ashtu si në rastin kur Cezari i thirri Brutit: “Edhe ti, Brut”, ngaqë një veprim i keq mund të bëhet edhe më i keq për shkak të personit që e ka kryer atë.
Kur mëkatojmë ne që jemi të zgjedhurit e parapëlqyer të qiellit, mëkati ynë është edhe më i rëndë; e jona është një fyerje e rëndë, sepse na kanë përkëdhelur kaq shumë. Në qoftë se një engjëll do të vinte dorë mbi ne kur bëjmë të liga, nuk do t’i duhej të përdorte një qortim tjetër, veç pyetjes: “Çfarë, ti? Po ti çfarë bën këtu?”. A guxojmë vallë t’i jepemi ligësisë, duke qenë se jemi falur, jemi çliruar, jemi mësuar, jemi pasuruar dhe jemi bekuar në mënyrë kaq të lavdishme? Larg qoftë, o Zot!
Këtë mëngjes, disa minuta rrëfim mund të jenë të dobishme për ty, lexues i dashur. Vallë, a nuk ke qenë ndonjëherë si të ligjtë? Në një mbrëmje feste, disa persona qeshën me një shaka të ndyrë, shaka e cila nuk ta vrau veshin—edhe ti ishe si një prej tyre. Kur u thanë fjalë të rënda rreth udhëve të Perëndisë, ti u skuqe dhe qëndrove në heshtje; dhe kështu, përpara të tjerëve, ti ishe si një prej tyre. Kur njerëzit e kësaj bote po bënin çmos të arrinin ujdinë që u interesonte në treg, a nuk ishe edhe ti si një prej tyre? Kur rendnin pa fre pas kotësive, a nuk ishe edhe ti po aq i etur për fitime ashtu si ata? A mund të dallohet ndonjë ndryshim mes teje dhe tyre? A ka ndonjë ndryshim?
Dhe ja tek vijmë tek ajo çka na intereson më shumë. Ji i ndershëm me shpirtin tënd, dhe sigurohu që je një krijesë e re në Krishtin Jezus; por kur të jesh siguruar për këtë, ec me kujdes që të mos të të qëllojë më të të thonë: “Edhe ti je nga ata” (Luka 22:58). Ti nuk do të doje të pësoje ndëshkimin e tyre të përjetshëm. Atëherë përse t’u ngjasosh atyre? Mos merr pjesë në të fshehtat e tyre, se mos përfundon edhe ti në ndëshkimin e tyre! Merr anën e njerëzve të përvuajtur të Perëndisë dhe jo anën e botës!
© dritez.al 2024