“Do të kënaqem me Jerusalemin dhe do të gëzohem me popullin tim; në të nuk do të dëgjohet më asnjë zë vaji ose zë klithme.”
Isaia 65:19
Në qiell, të përlëvduarit nuk qajnë më, sepse çdo shkak i jashtëm pikëllimi nuk ekziston më. Nuk ka miqësi të prishura dhe as ëndje të papërmbushura në qiell. Skamja, zia e bukës, rreziqet, përndjekja dhe shpifja as që njihen atje. Nuk do të ketë lëngata që të na shkaktojnë dhimbje, nuk do të ketë as mendime të ankthshme për vdekjen apo humbjen që të na trishtojnë. Ata që janë atje, nuk vajtojnë më, sepse janë shenjtëruar në mënyrë të përkryer. Asnjë zemër e ligë mosbesuese nuk i shtyn të largohen nga Perëndia i gjallë; ata qëndrojnë të pafajshëm përpara fronit të Tij dhe plotësisht të ngjashëm me shëmbëllimin e Tij. Me të drejtë pushojnë së vajtuari, sepse kanë pushuar së mëkatuari. Ata nuk vajtojnë më, sepse çdo frikë ndryshimi ka kaluar. Ata e dinë se janë përjetësisht të sigurt. Mëkati është lënë përjashta, ndërsa ata gjenden të mbyllur brenda [mureve të Jerusalemit qiellor]. Ata janë të sigurt në një qytet që kurrë nuk do të pushtohet; ata shullëhen nën një diell që nuk perëndon kurrë; pinë ujë prej një lumi që nuk do të shterojë kurrë; këpusin fruta nga një pemë që nuk do të thahet asnjëherë. Shekuj të pafund mund të kalojnë, por përjetësia nuk do të mbarojë kurrë; dhe për sa kohë vazhdon përjetësia, pavdekësia dhe lumturia e tyre do të vazhdojnë së bashku me të.
Ata janë përgjithnjë me Zotin. Nuk vajtojnë më, sepse çdo dëshirë u është përmbushur. Ata s’mund të ëndërrojnë për diçka të cilën tashmë nuk e kanë. Sy dhe veshë, zemër dhe dorë, gjykim, përfytyrim, shpresë, dëshirë dhe vullnet—të gjitha aftësitë janë plotësisht të kënaqura; dhe megjithëse nocionet tona të tanishme për gjërat që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan, janë të papërsosura, prapëseprapë, falë zbulesës së Frymës dimë se shenjtorët atje lart janë absolutisht të bekuar. Në ta gjendet gëzimi i Krishtit, i cili është si një mbushulli e pamasë hareje. Ata lahen në detin pa fund dhe pa brigje të bekimit të amshuar. I njëjti pushim i gëzueshëm na pret edhe ne. Pa kaluar shumë kohë, shelgut vajtues do t’ia zërë vendin dega e palmës së fitores dhe lotët e pikëllimit do të shndërrohen në margaritarë lumturie të amshueshme. “Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë” (1 e Thesalonikasve 4:18).
© dritez.al 2024