spurgeon dev 23 gusht pm
August 2023

…që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit.

Efesianëve 3:17

Është tej mase e dëshirueshme që ne, si besimtarë, ta mbajmë personin e Jezusit vazhdimisht përpara syve tanë, që të na e ndezë dashurinë tonë për Të dhe ta rrisë njohjen tonë për Të. I lutem Perëndisë që lexuesit e mi të jenë të gjithë si studentë të zellshëm e punëtorë në universitetin e Jezusit, studiues të Corpus Christi, ose thënë ndryshe, të trupit të Krishtit, të vendosur për të arritur një gradë të lartë në studimet e kryqit. Mirëpo, për ta pasur Jezusin sa më pranë, duhet që zemra të jetë e mbushur me Të, duke gufuar nga dashuria e Tij, madje duke brufulluar; ja pse lutet apostulli: “...që Krishti të banojë në zemrat tuaja.” Pa shiko pak se sa pranë e dëshiron ai Jezusin! Asgjë nuk mund të jetë më afër teje sesa gjëja që banon brenda zemrës sate. “...që Krishti të banojë”; jo që Ai thjesht të mund të të thërrasë ndonjëherë, si një kalimtar i rastit që mund të qëndrojë sa për të kaluar natën, por që Ai të banojë, pra, që Jezusi të mund të bëhet Zoti dhe banor i përhershëm në thellësinë e qenies sate, për të mos dalë më kurrë prej saj. 

Vër re fjalët [e përdorura]: që Ai të banojë në zemrën tënde, në odën më të mirë të shtëpisë! Jo vetëm në mendimet e tua, por edhe në ndjenjat e tua; jo vetëm në përsiatjet e mendjes, por edhe në emocionet e zemrës. Duhet të digjemi nga dëshira për ta dashur Krishtin në një mënyrë sa më të qëndrueshme—jo me një dashuri që digjet dhe pastaj shuhet në errësirën e pak thëngjijve, por një flakë e vazhdueshme, e ushqyer nga lënda djegëse e shenjtë, porsi zjarri mbi altar që nuk shuhej kurrë.

Kjo gjë nuk mund të arrihet përveçse përmes besimit. Besimi duhet të jetë i fortë, ose përndryshe, dashuria nuk do të jetë e zjarrtë; rrënja e lules duhet të jetë e shëndetshme, ose përndryshe, kot që presim që lulja të jetë e mahnitshme. Besimi është rrënja e bimës, ndërsa dashuria është lulëzimi i saj. Tani, lexues, Jezusi nuk mund të jetë në dashurinë e zemrës sate po qe se ti nuk je kapur fort pas Tij me anë të besimit të zemrës. Prandaj lutu që të mund të kesh besim të vazhdueshëm në Krishtin, me qëllim që të mund ta duash Atë gjithnjë. Në qoftë se dashuria është e ftohtë, dije se edhe besimi po lëkundet.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>