spurgeon dev 23 dhjetor am
December 2023

“Mik, ngjitu më lart.”

Luka 14:10

Kur jeta e hirit nis së pari në shpirt, ne i afrohemi instiktivisht Perëndisë, por këtë e bëjmë me frikë të madhe dhe me dridhje. Shpirti, duke qenë i vetëdijshëm për fajin dhe i përulur për shkak të tij, mbetet i mahnitur nga solemniteti i pozitës së vet; ai bie përmbys nga ndjesia e madhështisë së Perëndisë, në praninë e të cilit shfaqet.

Me një përulësi të sinqertë, ai zë vendin më të fundit. Mirëpo, më pas, teksa i krishteri rritet në hir, edhe pse nuk do ta harrojë kurrë solemnitetin e pozitës së tij dhe as do ta humbasë kurrë atë nderim e frikë të shenjtë që duhet ta karakterizojë një njeri të hirshëm kur gjendet në praninë e Perëndisë, i cili mund të krijojë ose të shkatërrojë, prapëseprapë, frika e tij e humbet elementin e tmerrit; ajo merr formën e një nderimi të shenjtë, dhe nuk është më një hije lemeritëse.

Ai ftohet të ngjitet më lart, për të pasur më shumë qasje te Perëndia përmes Krishtit Jezus. Atëherë, njeriu i Perëndisë, duke ecur mes shkëlqimit të Hyjnisë dhe duke e mbuluar fytyrën e tij si kerubimi i lavdishëm me ata krahët e dyfishtë, me anë të gjakut dhe drejtësisë së Jezu Krishtit, do t’i qaset fronit me nderim të thellë dhe i përulur në frymë; dhe duke parë atje një Perëndi dashurie, mirësie dhe mëshire, do ta kuptojë karakterin e Perëndisë si Zoti i besëlidhjes më shumë sesa Hyjninë e Tij absolute. 

Ai do të shohë te Perëndia mirësinë e Tij më tepër sesa madhërinë e Tij, dhe më tepër prej dashurisë së Tij sesa prej madhështisë së Tij. Atëherë, shpirti do të bjerë përmbys po aq përulësisht, sa edhe më parë, dhe do të shijojë një liri më të shenjtë ndërmjetësimi; sepse duke rënë përmbys përpara lavdisë së Perëndisë të përjetshëm, do të mbështetet nga vetëdija përtëritëse e të qenët në prani të mëshirës së pamasë dhe dashurisë së pafund, si dhe nga kuptimi i të qenët i pëlqyer “në Të Dashurin” (Efesianëve 1:6). Kështu, besimtari ftohet të ngjitet më lart dhe aftësohet për të ushtruar privilegjin e ngazëllimit në Perëndinë dhe afrimit më pranë Atij me siguri të shenjtë, duke thirrur: “Aba, o Atë.”

Kalofshim, pra, nga forca në forcë,
Dhe përditë në hir të rritemi,
Derisa në shëmbëllimin Tënd të bëhemi,
Dhe me Ty ballë për ballë të shihemi.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin