spurgeon dev 23 dhjetor pm
December 2023

Jotja është dita, jotja është edhe nata.

Psalmi 74:16

Zot, Ti nuk e lë fronin Tënd me të perënduar dielli, dhe as e lë botën që të bëhet preja e të ligut gjatë të gjitha atyre netëve të gjata dimërore! Sytë e Tu na vështrojmë ashtu si yjet, ndërsa krahët e Tu na rrethojnë ashtu si brezi i planetëve ngjesh qiellin. Dobia e gjumit të mirë dhe të gjitha ndikimet e hënës janë në dorën Tënde, dhe po ashtu të Tuat janë kushtrimet dhe solemnitetet e natës. Kjo është diçka shumë e bukur për mua tek eci gjatë orëve të mesnatës ose kur përpëlitem sa andej-këtej nga ankthi.

Ka fryte të vyera që i marrim nga hëna, ashtu si edhe nga dielli: dashtë Zoti im që të jem një përfitues i favorizuar i atyre fryteve! Nata e vuajtjes është nën rregullimin dhe nën kontrollin e Zotit të Dashurisë, po aq sa edhe ditët verore plot shkëlqim, gjatë të cilave gjithçka është e hareshme. Jezusi gjendet brenda stuhisë. Dashuria e Tij e mbështjell natën rreth vetes si një mantel, por pelerina e natës zor se e fsheh atë. Nga ora e parë e natës e deri në të aguar të ditës, Roja i përjetshëm vigjilon mbi shenjtorët e Vet dhe sundon mbi hijet dhe errësirën e mesnatës për të mirën më të lartë të popullit të Vet. Nuk besojmë në hyjni rivale të së mirës dhe të së keqes, të cilat përleshen për të dalë mbi njëra-tjetrën, por dëgjojmë zërin e Jahveh-ut tek thotë: “Unë krijoj dritën dhe krijoj terrin… Unë, ZOTI, i bëj të gjitha këto gjëra” (Isaia 45:7). 

Stinët e zymta të indiferencës fetare dhe të mëkatit shoqëror nuk përjashtohen nga qëllimi hyjnor. Kur altarët e së vërtetës ndoten dhe rrugët e Perëndisë braktisen, shërbëtorët e Zotit qajnë me pikëllim të hidhur; por nuk kanë pse të dëshpërohen, sepse edhe epokat më të errëta qeverisen nga Zoti, dhe do të marrin fund me ta urdhëruar Ai. Ajo që neve mund të na duket humbje, për Të mund të jetë fitore. 

Edhe pse mbështjellë nga nata e zymtë,
Nuk dallojmë dot rrezen e dritës;
Përderisa Vetë Zoti është këtu,
Nuk kemi pse t’i japim më vend frikës.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin