spurgeon dev 22 am
October 2023

“Do t’i dua me gjithë zemër.”

Osea 14:4

Kjo fjali është një vepër teologjie në miniaturë. Kushdo që e rrok domethënien e saj, është një teolog i vërtetë, dhe kushdo që e ngërthen mbushullinë e saj, është një mësues i zoti! Kjo është, në fakt, përmbledhja e mesazhit të lavdishëm të shpëtimit që na u dha përmes Krishtit Jezus, Shpengimtarit tonë.

Domethënia e saj qëndron në fjalët “me gjithë zemër”. Kjo është mënyra e përshtatshme dhe e lavdishme hyjnore përmes së cilës dashuria rrjedh nga qielli në tokë, një rrjedhë spontane dashurie që ka për destinacion ata që as nuk e merituan, as nuk e blenë dhe as nuk e kërkuan atë. Është, në fakt, e vetmja mënyrë në të cilën Perëndia mund t’i dojë krijesa të tilla si puna jonë.

Vargu në fjalë është një goditje vdekjeprurëse ndaj çdo lloj merite: “Do t’i dua me gjithë zemër.”

Në fakt, nëse do të kishte ndonjë farë merite të nevojshme në ne, atëherë nuk do të na donte lirisht; ose të paktën, lirshmëria e dashurisë së Tij do të cungohej ose kufizohej. Mirëpo, ja ku qëndron fraza e shqiptuar prej tij: “Do t’i dua me gjithë zemër.”

Ne ankohemi: “Zot, zemra ime është shumë e ngurtë!”.

“Do t’i dua me gjithë zemër.”

“Mirëpo, nuk e ndiej aq sa duhet nevojën time për Krishtin.”

“Unë nuk do të të dua për shkak se e ndien nevojën për Krishtin, por do të të dua me gjithë zemër.”

“Mirëpo, unë e nuk e ndiej atë zbutjen e frymës që duhet të dëshiroj.”

Ki parasysh se zbutja e frymës nuk është kusht, sepse nuk ekzistojnë kushtet; besëlidhja e hirit nuk njeh asnjë lloj kushti. Kështu që, edhe pa asnjë meritë, mund të mbështetemi në premtimin e Perëndisë, që na u bë në Krishtin Jezus, kur ai tha: “Ai që beson në Të, nuk gjykohet” (Gjoni 3:18). Është bekim kur e dimë se hiri i Perëndisë na jepet lirisht në çdo kohë, pa përgatitje, pa meritë, pa para dhe pa asnjë çmim!

“Do t’i dua me gjithë zemër.” Këto fjalë i ftojnë besëshkelësit që të kthehen: në fakt, ky varg u shkrua posaçërisht për njerëz të tillë: “Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t’i dua me gjithë zemër.” 

Besëshkelës, me siguri që bujaria e këtij premtimi do ta thyejë menjëherë zemrën tënde, dhe ti do të kthehesh dhe do të kërkosh fytyrën e Atit tënd të lënduar!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>