spurgeon dev 22 pm
October 2023

Ai do të marrë prej simes dhe do t’jua kumtojë.

Gjoni 16:15

Ka disa kohë kur të gjitha premtimet dhe doktrinat e Biblës mbeten në letër, po qe se nuk del një dorë e hirshme që t’i bëjë ato të gjalla përpara nesh. Kemi etje, por gjithashtu jemi shumë të dobët për t’u zvarritur deri te përroi i ujit. Kur një ushtar plagoset në betejë, pak rëndësi ka për të nëse e di apo jo se në spitalin ushtarak e presin ata që mund t’ia lidhin plagët, dhe se atje ka barna që mund t’ia lehtësojnë të gjitha dhimbjet prej të cilave vuan në atë çast: ajo për të cilën ai ka nevojë, është që ta marrin dhe ta çojnë atje për ta mjekuar. Kështu ndodh edhe me shpirtrat tanë, dhe për ta përmbushur këtë nevojë ekziston dikush, vetë Fryma e së vërtetës, që merr prej gjërave të Jezusit dhe i zbaton në ne.

Mos mendo se Krishti i ka vendosur gëzimet e Tij mbi rafte qiellore, të cilave mund t’u ngjitemi për t’i marrë vetë; përkundrazi, Ai na afrohet dhe e derdh paqen e Tij në zemrat tona. O i krishterë, në qoftë se sonte të mundon ndonjë shqetësim i madh, dije se Ati yt nuk t’i jep premtimet që ti pastaj t’i nxjerrësh nga Fjala e Tij si kovat kur merr ujë nga pusi! Premtimet që i ka shkruar në Fjalën e Tij, do t’i rishkruajë sërish në zemrën tënde. Ai do të ta shfaqë dashurinë e Tij dhe me anë të Frymës së Tij të bekuar do t’i shporrë tutje shqetësimet dhe hallet e tua.

Dije mirë këtë, nëse vajton, Perëndia e ka për privilegj të fshijë çdo lot nga sytë e popullit të Tij. Samaritani i mirë nuk tha: “Ja ku e ke verën dhe ja ku e ke vajin”; ai, në fakt, e derdhi vajin dhe verën mbi plagët e të lënduarit. Po kështu, edhe Jezusi nuk të fal vetëm verën e ëmbël të premtimit, por e vendos kupën e artë mbi buzët e tua dhe e zbraz gjakun e jetës në gojën tënde. Shtegtari i gjorë, i sëmurë e i rraskapitur nga udha e gjatë, jo vetëm që forcohet për të vazhduar udhën, por edhe ngrihet mbi krahë shqiponjash. I lavdishmi Ungjill që siguron gjithçka për të dobëtit, që na afron pranë vetes kur nuk e arrijmë dot—na fal hirin përpara se ta kërkojmë atë! Ka po aq lavdi në dhuratën, sa edhe në mënyrën e dhënies së saj. Lum si ata njerëz të cilët e kanë Frymën e Shenjtë që ua sjell Jezusin shumë pranë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>