Le të ngazëllehet Izraeli tek ai që e ka bërë.
Psalmi 149:2
Ngazëllehu, o besimtar, por bëj kujdes që ngazëllimi yt ta ketë burimin te Zoti! Ke shumë arsye pse të ngazëllehesh te Perëndia, sepse mund të këndosh së bashku me Davidin: “Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime” (Psalmi 43:4). Gëzohu që Zoti mbretëron dhe që Jahveh-u është Mbret! Gëzohu që Ai ulet mbi fron dhe sundon mbi gjithçka!
Çdo atribut i Perëndisë duhet të bëhet si një rreze e sapoçelur dielli në rrëzëllimin e ngazëllimit tonë. Duke qenë se e njohim marrëzinë tonë, fakti që Ai është i urtë, duhet të na ngazëllejë. Fakti që Ai është i fuqishëm, duhet të na ngazëllejë ne që na hyn tmerri kur mendojmë për dobësitë tona. Fakti që Ai është i përjetshëm, duhet të jetë një motiv për të qenë të gëzuar kur e dimë që vyshkemi si bari. Duke qenë se ne ndryshojmë nga ora në orë, fakti që Ai është i pandryshueshëm, duhet të na bëjë që t’ia marrim një kënge të pambarim. Fakti që Perëndia është plot me hir, i tejmbushur me hir, dhe që këtë hir na e ka dhënë neve me anë të besëlidhjes, që ai hir është yni për të na pastruar, yni për të na ruajtur, yni për të na shenjtëruar, yni për të na përsosur dhe yni për të na çuar në lavdi—e gjithë kjo duhet të shërbejë që të ngazëllejmë në Të.
Ky ngazëllim në Perëndinë është si një lumë i thellë. Deri tani, ne vetëm sa e kemi prekur cakun e tij; dimë diçka për rrjedhat e tij të kulluara dhe të ëmbla qiellore, por më tej, thellësia është më e madhe dhe rryma më e vrullshme në gëzimin e vet.
I krishteri zbulon se mund të ngazëllehet jo vetëm në natyrën e Perëndisë, por edhe në gjithçka që Ai ka bërë në të kaluarën. Psalmet na tregojnë se njerëzit e Perëndisë në kohët e lashta ishin të zellshëm për t’i ngritur lart veprat e Tij dhe për t’i thurur këngë secilës prej tyre. Kështu, edhe populli i Perëndisë sot, le të flasë për bëmat e Zotit! Le të tregojë për veprat e Tij të fuqishme dhe t'i “këndoj[ë] ZOTIT, sepse u lartësua shumë” (Eksodi 15:1)! Mos pushofshin kurrë së kënduari, sepse teksa mëshira të reja rrjedhin drejt tyre çdo ditë, kështu edhe ngazëllimi i tyre duhet të shfaqet me mirënjohje të vazhdueshme për bëmat plot dashuri të Zotit të provanisë dhe hirit!
Lumturohuni, o fëmijë të Sionit, dhe ngazëllehuni në Zotin Perëndinë tuaj!
© dritez.al 2024