spurgeon dev 22 shtator pm
September 2023

Ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë.

Psalmi 61:2

Shumica prej nesh e dinë se ç’do të thotë të të ligështohet zemra, të jesh i zbrazur ashtu si një pjatë që dikush e fshin dhe e kthen përmbys, ose i zhytur dhe i braktisur në mjerim si një anije e goditur nga stuhia. Kjo është një ndjesi që ngjallet tek zbulojmë prishjen brenda nesh, nëse Zoti e lejon që thellësia e shthurjes sonë të trazohet dhe të vjellë baltë e zgjyrë. Zhgënjimet dhe zemërthyerjet do ta bëjnë këtë kur shkulmat të përplasen mbi ne njëra pas tjetrës dhe ne të jemi si një guaskë e thyer, e hedhur sa andej-këndej prej tallazit.

Bekuar qoftë Perëndia që, në stinë të tilla, nuk na lë pa përdëllim të gjithëmjaftueshëm: Perëndia ynë është limani i velave të rrahura nga stuhitë dhe vendstrehimi i shtegtarëve të përvuajtur. Ai është më i lartë se ne, mëshira e Tij më e lartë se mëkatet tona dhe dashuria e Tij më e lartë se mendimet tona. Të vjen keq t’i shohësh njerëzit kur e vënë besimin te diçka më e ulët sesa ata vetë; por besimi ynë është ngulitur te një Zot shumë i lartë dhe i lavdishëm. Ai është një Shkëmb, sepse nuk ndryshon, por edhe një Shkëmb i lartë, sepse stuhitë që na mposhtin ne, Atij i kalojnë shumë më poshtë këmbëve. Ai as që trazohet prej tyre, por sundon mbi to sipas vullnetit të Tij. Nëse futemi në strehën e këtij Shkëmbi të lartë, mund t’i bëjmë ballë uraganit; gjithçka është e qetë poshtë shtrojerës së atij shkëmbi vigan. Mirëpo, fatkeqësisht, kaq e madhe është rrëmuja në të cilën shpesh zhytet mendja e shqetësuar, saqë na nevojitet dikush që të na drejtojë te kjo strehë hyjnore.

Prandaj është edhe lutja e vargut. O Zot, Perëndia ynë, mësona rrugën e besimit dhe na udhëhiq në prehjen Tënde me anë të Frymës Sate të Shenjtë! Era na fluturon në det—timoni nuk i përgjigjet më dorës sonë të dobët; Ti dhe vetëm Ti mund të na drejtosh mbi cektinën mes shkëmbinjve nënujorë dhe të na çosh të sigurt drejt limanit të mirë. Ne jemi të varur krejtësisht në Ty—ne kemi nevojë që Ti të na sjellësh te Vetja. Udhëheqjen me urtësi dhe drejtimin drejt sigurisë e paqes, i kemi dhuratë prej Teje, dhe vetëm prej Teje. Prano t’i trajtosh me mirësi shërbëtorët e Tu sonte!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>