Shkurt 2023

“Por harku i tij ka mbetur i fortë; krahët e tij janë përforcuar nga duart e të Fuqishmit të Jakobit…”

Zanafilla 49:24

Forca që Perëndia u jep Jozefëve të Tij, është një forcë e vërtetë. Nuk është as trimëri mburracake, as trillim dhe as thashetheme njerëzore, e cila davaritet si tymi, por është një forcë e vërtetë—forcë hyjnore. 

Si ia doli Jozefi që t’i rezistonte tundimit? Në sajë të ndihmës së Perëndisë. Nuk mund të bëjmë asgjë pa fuqinë e Perëndisë. Tërë fuqia e vërtetë vjen nga “i Fuqishmi [Perëndi] i Jakobit”. Vëreni se sa e bekuar dhe e njohur është mënyra si Perëndia e forcon Jozefin: “...krahët e tij janë përforcuar nga duart e të Fuqishmit të Jakobit…” Kështu, Perëndia paraqitet sikur i vendos duart e Tij mbi duart e Jozefit dhe krahët e Tij mbi krahët e Jozefit. Porsi një atë që i mëson fëmijët e tij, edhe Zoti i mëson ata që e kanë frikë Atë. Ai i vendos krahët e Tij rreth tyre. Ç’vetëpërulje e jashtëzakonshme! Perëndia i Madhërishëm, i Përjetshëm dhe i Gjithëfuqishëm, ulet nga froni i Vet dhe i vendos duart e Tij mbi duart e fëmijës, duke i shtrirë krahët e Tij mbi krahët e Jozefit, me qëllim që ky të bëhet i fortë!

Kjo është edhe forcë besëlidhjeje, sepse i atribuohet “të Fuqishmit [Perëndi] të Jakobit”. Në fakt, sa herë që të lexoni në Bibël për Perëndinë e Jakobit, mendja duhet t’ju shkojë te besëlidhja e Tij me Jakobin. Të krishterëve ua ka ënda të mendojnë rreth besëlidhjes së Perëndisë. Gjithë fuqia, gjithë hiri, të gjitha bekimet, të gjitha mëshirat, të gjitha ngushëllimet dhe të gjitha gjërat që kemi, rrjedhin drejt nesh nga kryeburimi, përmes besëlidhjes. Në rast se nuk do të kishte besëlidhje, atëherë do të ishim të humbur në kuptimin e plotë të fjalës; sepse i gjithë hiri rrjedh prej saj, ashtu siç drita dhe nxehtësia rrezatohen nga dielli. Engjëjt nuk përdorin mjet tjetër për t’u ngjitur e zbritur veç shkallës që pa Jakobi, në majë të së cilës qëndronte Perëndia i besëlidhjes. I krishterë, mund të ndodhë që harkëtarët të të kenë lënduar keq, të të kenë qëlluar dhe plagosur, por megjithatë, harku yt mbetet i fortë. Pra, sigurohu që t’ia japësh gjithë lavdinë Perëndisë së Jakobit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin