ZOTI është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh…
Nahumi 1:3
Yahweh-u “është i ngadalshëm në zemërim”. Kur mëshira zbret mbi botë, kalëron kuaj me krahë, ndërsa boshtet e rrotave të koçisë së saj bëhen të kuqe si zjarri për shkak të shpejtësisë. Mirëpo, kur i vjen radha zemërimit, ai mezi i ngre këmbët, duke bërë përpara me hapa të ngadalshëm, sepse Perëndia nuk gjen kënaqësi në vdekjen e mëkatarit. Purteka e mëshirës së Perëndisë është përherë në duart e Tij të shtrira, ndërsa shpata e drejtësisë është në këllëfin e saj dhe mbahet e frenuar nga ato duar dashurie të tejshpuara, të cilat derdhën gjak për mëkatet e njerëzve.
“ZOTI është i ngadalshëm në zemërim”, sepse Ai është “pushtetmadh”. Pushtetmadh është vetëm ai që ka fuqi mbi veten e tij. Pushteti i Perëndisë është pushtet i vërtetë, sepse shfaqet në kufizimin e Vetes. Fuqia që nënshtron gjithëfuqishmërinë, është gjithëfuqishmëri e shkuar gjithëfuqishmërisë. Njeriu me nerva të çelikta mund ta mbajë fyerjen dhe reagon ndaj së keqes vetëm kur shtyhet nga një ndjenjë drejtësie. Ai që i ka nervat të dobëta, pezmatohet për hiçmosgjë; ai që i ka nervat të çelikta, qëndron i palëvizshëm si një shkëmb, megjithëse pas tij përplasen mijëra dallgë, të cilat e spërkatin në majë me lëngun e keqdashjes së tyre të mjerë.
Perëndia i dallon armiqtë e Tij e megjithatë nuk preket, por e mban nën kontroll zemërimin e Tij. Nëse do të ishte më pak hyjnor se ç’është, Ai nuk do të mënonte t’i zbrazte topat e qiellit, duke mos lënë bubullima pa hedhur mbi tokë, dhe as nuk do të vononte ta shpërthente tokën me zjarret e mahnitshme të thellësive të saj dhe njeriu do të ishte shkatërruar plotësisht.
Mirëpo, madhështia e pushtetit të Tij na sjell mëshirë. I dashur lexues, në ç’gjendje ndodhesh sonte? A mund ta vështrosh Jezusin me besim të përulur dhe t’i thuash: “Zëvendësuesi im, Ti je shkëmbi im dhe besoj vetëm te Ti”? Shumë i dashur, nëse është kështu, mos u druaj nga pushteti i Perëndisë; sepse nëse, me anë të besimit, ke rendur te Krishti për të gjetur strehë, pushteti i Perëndisë nuk ka pse të të tmerrojë, ashtu si shpata dhe shqyti i luftëtarit nuk duhet t’i kallin frikë atyre që ai do. Përkundrazi, ngazëllohu, sepse “Pushtetmadhi” është Ati dhe Miku Yt!
© dritez.al 2024