spurgeon dev 22 qershor am
Qershor 2023

“Ai do të ndërtojë tempullin e Zotit, do të mbulohet me lavdi.”

Zakaria 6:13

Vetë Krishti është ndërtuesi i tempullit të Vet frymëror, i cili ngrihet mbi malet e dashurisë së Tij të pandryshueshme, hirit të Tij të gjithëfuqishëm dhe besnikërisë së Tij të pagabueshme. Mirëpo, ashtu si te tempulli i Salomonit, edhe këtu materialet duhen bërë gati. Ja ku janë “kedrat e Libanit”, por ata nuk kanë formën e duhur për t’u përdorur për ndërtim; ata nuk janë prerë dhe nuk janë formësuar, dhe as janë çarë në dërrasa kedri, bukuria erëmirë e së cilave do t’i bëjë të gëzueshme oborret e shtëpisë së Zotit në parajsë. Ja ku janë gurët e palatuar ende në gurore, të cilët duhen prerë e gdhendur në formën e blloqeve drejtkëndore.

E gjitha kjo është vepra e vetë Krishtit. Secili besimtar përgatitet e latohet, dhe bëhet gati për vendin e tij në tempull; mirëpo, është vetë dora e Krishtit që e kryen këtë punë përgatitore. Pikëllimet nuk mund të shenjtërojnë, përveç rastit kur përdoren prej Krishtit për të përmbushur qëllimin e Tij. Lutjet dhe përpjekjet tona nuk mund të na bëjnë gati për qiellin, të veçuara nga dora e Krishtit, e cila u jep formën e duhur zemrave tona. 

Ashtu si gjatë ndërtimit të tempullit të Solomonit, “nuk u dëgjua zhurma e çekiçit, e sëpatës ose e ndonjë vegle tjetër prej hekuri” (1 i Mbretërve 6:7), sepse gjithçka u soll e gatshme për vendin e caktuar që do të zinte, po kështu ndodh edhe në tempullin që ndërton Jezusi; gjithë përgatitja bëhet në tokë. Kur të arrijmë në qiell, atje nuk do të ketë nevojë as për vepër shenjtëruese, as për të na gdhendur me anë të pikëllimeve dhe as për të na maturuar me anë të vuajtjes.

Jo, duhet të bëhemi gati këtu poshtë—dhe gjithçka që do të bëjë, Krishti do ta bëjë tani; dhe kur Ai ta ketë përfunduar, një dorë e dashur do të na çojë në anën tjetër të lumit të vdekjes dhe drejt e në Jerusalemin qiellor, ku do të banojmë si shtylla të përjetshme në tempullin e Zotit tonë.

Nën të Tijin shikim e kujdes,
Do të ngrihet ndërtesa,
Madhështore, e hijshme dhe e fortë,
Duke shkëlqyer lart mbi qiej.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin