…që të mbeten ato që nuk tunden.
Hebrenjve 12:27
Të shumta janë zotërimet tona të tanishme, të cilat mund të tunden, dhe nuk është një gjë e mirë që i krishteri të mbështetet në to, sepse nuk ka asgjë të qëndrueshme poshtë këtyre qiejve të ndryshueshëm; të gjitha gjërat mbajnë mbi vete mbishkrimin “të ndryshueshme”. Mirëpo, paskemi edhe disa gjëra “që nuk tunden”, dhe të ftoj sonte që të mendosh rreth tyre—me qëllim që, nëse të merren gjërat që mund të tunden, të mund të përftosh ngushëllim të vërtetë nga ato që nuk tunden, dhe që do të mbeten. Cilatdo mund të kenë qenë apo mund të jenë humbjet e tua, ti gëzon shpëtimin e tanishëm.
Ti po qëndron në këmbët e kryqit të Krishtit, duke besuar vetëm në meritën shpëtuese të gjakut të Tij të çmuar, dhe nuk ka ngritje apo rënie tregjesh që mund të ndërhyjë në shpëtimin tënd tek Ai; nuk ka thyerje banke, nuk ka dështim apo falimentim që mund ta prekë atë. Atëherë, ti je fëmijë i Perëndisë sonte. Perëndia është yt Atë. Nuk ka ndryshim situatash që mund të ta heqë ty këtë [të drejtë]. Megjithëse humbjet mund të të kenë çuar në varfëri, duke të të katandisur vetëm me këmishën e trupit, prapëseprapë mund të thuash: “Ai mbetet im Atë. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, kështu që nuk kam pse të shqetësohem.” Mirëpo, ti zotëron edhe një bekim tjetër të përhershëm, e pikërisht, dashurinë e Jezu Krishtit. Ai, i cili është Perëndi dhe njeri, të do me gjithë forcën e natyrës së Tij dashamirëse—nuk ka asgjë që mund ta ndryshojë këtë [të vërtetë]. Fiku mund të mos lulëzojë dhe kopetë mund të pakësohen e të largohen nga fusha, por kaq i bën njeriut që mund të këndojë: “I Dashuri im është imi, dhe unë jam i Tij.” Nuk mund ta humbim zotërimin tonë më të mirë dhe trashëgiminë tonë më të pasur.
Pavarësisht nga lloj-lloj hallesh që na zënë, le të tregohemi burra; le ta tregojmë se nuk jemi si ata fëmijët e vegjël që i lëshon zemra nga gjërat që u ndodhin në këtë jetë fluturake. Vendi ynë është toka e Emanuelit, shpresa jonë është e sigurt lart në qiell dhe për pasojë, duke qenë të qetë si oqeani i verës, do të shohim lundërthyerjen e çdo gjëje që i takon kësaj bote, por, prapëseprapë, do të ngazëllehemi në Perëndinë e shpëtimit tonë.
© dritez.al 2024