Atë Perëndia e lartësoi.
Veprat e Apostujve 5:31
Jezusi, Zoti ynë që dikur u kryqëzua, vdiq dhe u varros, tanimë ulet mbi fronin e lavdisë. Vendi më i lartë që ofron parajsa, i takon Atij me plot të drejtë. Është jetësore dhe e dobishme të kujtojmë se lartësimi i Krishtit në qiell është një lartësim përfaqësues. Ai është lartësuar në të djathtë të Atit dhe ashtu si Yahveh-u, edhe Ai kishte lavdi të pashoqe, të cilat krijesat vdekatare nuk mund t’i kenë dot, megjithatë, si Ndërmjetësues që është, nderet që i takojnë Jezusit në qiell, përbëjnë trashëgiminë e mbarë shenjtorëve.
Është kënaqësi të mendosh se sa i afërt është bashkimi i Krishtit me popullin e Tij. Në fakt, ne jemi një me Të; jemi gjymtyrë të trupit të Tij; dhe lartësimi i Tij është edhe lartësimi ynë. Ai do të na japë mundësinë të ulemi [me Të] mbi fronin e Tij, sikurse edhe Ai vetë ka fituar dhe është ulur me Atin mbi fronin e Tij. Ashtu siç ka vetë kurorë, do të na japë edhe neve nga një kurorë. Ai ka një fron, por nuk kënaqet nëse e ka atë vetëm për Veten; në të djathtën e Tij duhet të jetë mbretëresha e Vet, veshur me ar të kulluar. Ai nuk mund të përlëvdohet dot pa nusen e Tij.
Besimtar, vështro lart drejt Jezusit tani dhe lëre syrin e besimit tënd ta vështrojë Atë me kurorat që mban mbi krye; dhe kur ta shohësh Atë ashtu siç është, kujtoji vetes se një ditë edhe ti do të jesh si Ai! Nuk do të jesh aq i madh e hyjnor sa është Ai; e megjithatë, në një masë të caktuar, do të kesh të gjitha nderet dhe do të gëzosh të njëjtën lumturi dhe dinjitet që zotëron Ai. Ji i kënaqur që të jetosh në anonimitet edhe për njëfarë kohe, dhe të vazhdosh shtegtimin tënd të mundimshëm përmes fushave të skamjes ose lart kodrave të mundimit; sepse mjaft shpejt do të mbretërosh me Krishtin, duke qenë se Ai na ka bërë “mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe” (Zbulesa 5:10).
Oh, ç’mendim i mrekullueshëm për fëmijët e Perëndisë! Tashmë kemi Krishtin si përfaqësuesin tonë të lavdishëm në oborret e qiellit dhe shumë shpejt, Ai do të vijë të na marrë me Vete, që të jemi me Të atje lart, për të soditur lavdinë e Tij dhe për të ndarë gëzimin e Tij.
© dritez.al 2024