Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës.
Psalmi 91:5
Ç’të jetë vallë ky “tmerr”? Mund të jetë klithma e zjarrit, zhurma e hajdutëve, pjella e imagjinatës, britma e sëmundjes së papritur apo e vdekjes. Jetojmë në një botë [të zhytur] në vdekje dhe pikëllim; mund të presim të përballemi me fatkeqësi dhe vështirësi si gjatë orëve të natës, ashtu edhe nën diellin përcëllues të mesditës. Mirëpo, cilido qoftë tmerri, zemra mos na u trondittë, sepse na është dhënë premtimi se besimtari nuk do të ketë frikë. Përse duhet të ketë frikë vallë?
Po në rastin tonë—përse duhet të kemi frikë vallë? Perëndia, Ati ynë, është këtu dhe do të vazhdojë të qëndrojë me ne gjatë të gjitha orëve të vetmisë. Ai është një Rojtar i gjithëfuqishëm, një Mbrojtës i pagjumë dhe një Mik besnik. Asgjë nuk mund të ndodhë pa drejtimin e Tij, sepse edhe vetë ferri është nën kontrollin e Tij. Terri nuk është i errët për Të. Ai ka premtuar se do të bëhet një mur zjarri përreth popullit të Vet—dhe afërmendsh, kush mund ta çajë një rrethim të tillë?
Jobesimtarët bëjnë mirë të frikësohen, sepse kanë një Perëndi të zemëruar mbi kokë, një ndërgjegje fajtore nga brenda dhe një ferr gojëhapur poshtë këmbëve. Mirëpo, ne që besojmë në Jezusin, jemi shpëtuar nga të gjitha këto me anë të mëshirës së Tij të madhe. Nëse dorëzohemi përpara frikës së marrë, do të çnderojmë besimin që shpallim dhe do t’u ngjallim të tjerëve dyshime rreth perëndishmërisë sonë. Bëjmë mirë t’i druhemi të pasurit frikë, se mos e trishtojmë Frymën e Shenjtë për shkak të mosbesimit të marrë. Tutje, pra, ju parandjenja të zymta dhe ju shqetësime të paqena—Perëndia nuk ka harruar të shfaqë hir dhe as nuk i ka mbyllur me kyç mëshirat e Tij të ëmbla. Mbase në shpirt mund të jetë natë, por nuk ka arsye për t’u tmerruar, sepse Perëndia i dashurisë nuk ndryshon.
Fëmijët e dritës mund të ecin në errësirë, por kjo nuk do të thotë se janë braktisur. Jo, sepse ata tashmë aftësohen që ta dëshmojnë birësimin, duke i besuar Atit të tyre në një mënyrë të tillë që hipokritët nuk e imitojnë dot.
Edhe mes natës së errët e të tmerrshme,
Errësira prej Teje s’më fsheh dot;
Ti je Ai që pa u lodhur as sot, as mot,
Ruan popullin tënd kudo në botë.
© dritez.al 2024