spurgeon dev 22 nëntor am
November 2023

Izraeli shërbeu për një grua, për një grua u bë rojtar dhensh.

Osea 12:13

Duke biseduar me Labanin, Jakobi përshkruan atë që kishte bërë: “Kam qenë njëzet vjet me ty… Unë nuk t’i kam sjellë kurrë kafshët të shqyera nga bishat; dëmin e kam pësuar vetë; ti kërkoje me ngulm nga unë atë që ishte vjedhur ditën apo natën. Ky ishte fati im; ditën më ligte vapa dhe natën të ftohtit e madh dhe gjumi më ikte nga sytë” (Zanafilla 31:38-40).

Jeta e Shpëtimtarit tonë këtu në tokë qe madje edhe më e mundimshme se kjo. Ai u kujdes për ne derisa pati mundësi të thoshte: “Nuk humba asnjë nga ata që më ke dhënë” (Gjoni 18:9). Flokët i kishte të njomë nga vesa, ndërsa kaçurrelat iu lagën nga cirkat e natës. Sytë e Tij nuk vunë gjumë, sepse Ai e kaloi gjithë natën në lutje, duke u përleshur për njerëzit e Vet.

Një natë duhet të lutet për Pjetrin; papritur dikujt tjetër i nevojitet përgjërimi i Tij plot lot. Asnjë bari që i kalon netët poshtë qiejve të ftohtë, duke vështruar yjet, nuk mund të shprehë kurrë ankesa të tilla për vështirësinë e mundit të tij, nga sa mund të kishte paraqitur Jezu Krishti, në qoftë se do të kishte zgjedhur që ta bënte këtë, për shkak të vështirësisë së shërbesës së Tij, me qëllim që të fitonte nusen e Tij:

Malet e ftohta dhe ajri i mesnatës dëgjonin,
Dhe zjarrin e të Tijave lutje dëshmonin;
Shkretëtira tundimet Atij ia njihte,
Përleshjen dhe fitoren po ashtu ia dinte.

Është gjë e dobishme të meditojmë mbi paralelizmin frymëror të rastit të  Labanit, i cili ia kërkonte me ngulm Jakobit të gjitha delet që i kishte dhënë në ngarkim. Në qoftë se delet do të shqyheshin nga bishat, Jakobi duhej të paguante çmimin e tyre; në qoftë se ndonjë prej tyre humbiste, ai duhej të garantonte zëvendësimin e saj.

A nuk ishte edhe mundi i Jezusit për Kishën e Tij, mundi i Dikujt, i cili mori përsipër detyrimin garantues që ta çonte çdo besimtar shëndoshë e mirë në dorën e Atij që i kishte ngarkuar detyrën e përkujdesjes për ta? Pa vëreje pak Jakobin e përvuajtur dhe do të shohësh në të shëmbëllimin e Atij për të cilin lexojmë: “Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari” (Isaia 40:11).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin