spurgeon dev 22 nëntor pm
November 2023

Fuqinë e ringjalljes së tij.

Filipianëve 3:10

Doktrina e ringjalljes së Shpëtimtarit është tej mase e çmuar. Ringjallja është guri i qoshes për të gjithë ndërtesën e krishterimit. Është gurkyçi i harkut të shpëtimit tonë. Do të duhej një vëllim i tërë për të përshkruar të gjitha burimet e ujit të gjallë që rrjedhin nga ky burim i shenjtë, pra, nga ringjallja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë të dashur, Jezu Krishtit. Mirëpo, nuk ka gjë më të çmuar sesa dijes që Ai është ringjallur, t’i shtosh përbashkësinë me një Zot të tillë, pra, të kesh përbashkësi me Shpëtimtarin e ringjallur duke pasur një jetë të ringjallur, tek e shohim të dalë nga varri ndërkohë që ne vetë dalim nga varri i përbotshmërisë. Doktrina është themeli i përvojës, por ashtu si lulja është më e bukur sesa rrënja, kështu, edhe përvoja e përbashkësisë me Shpëtimtarin e ringjallur është më e bukur sesa vetë kjo doktrinë.

Do të dëshiroja që ta besonit se Krishti u ngjall prej së vdekurish, me qëllim që t’i thurni këngë një bëme të tillë dhe të fitoni gjithë përdëllimin e mundshëm që mund të merrni nga kjo e vërtetë e mbështetur në kaq shumë prova dhe dëshmitarë; por, ju përgjërohem, mos mbetshi të kënaqur as me kaq! Megjithëse nuk e shihni dot fizikisht, ashtu siç e panë dishepujt, prapëseprapë, ju përgjërohem që të dëshironi ta shihni Krishtin Jezus me sytë e besimit; edhe pse, ashtu si Maria Magdalena, nuk mund ta prekni dot, prapëseprapë mund të keni privilegjin të bashkëbisedoni me Të dhe të dini se Ai është ringjallur prej së vdekurish, duke qenë të ringjallur edhe ju vetë në Të, në risinë e jetës.

Të diturit se Shpëtimtari i kryqëzuar i ka kryqëzuar të gjitha mëkatet e mia, është një nivel i lartë dijeje; por të diturit se Shpëtimtari i ringjallur më ka drejtësuar, të kuptuarit se më ka dhënë jetë të re dhe se më ka bërë një krijesë të re përmes risisë së jetës së Tij—kjo po që është një përvojë sublime. E thënë me pak fjalë, askush nuk duhet të mbetet i kënaqur pa e pasur një njohuri të tillë. Paçi mundësi që “ta njihni atë dhe fuqinë e ringjalljes së Tij”! Përse vallë duhet që shpirtrat të cilët Jezusi i ka rilindur, të veshin rrobat e varrit—petkat e përbotshmërisë dhe të mosbesimit? Ngrihuni, sepse Zoti është ringjallur!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin