spurgeon dev 22 korrik pm
July 2023

“Ja njeriu!”

Gjoni 19:5

Në qoftë se ekziston një vend ku Zoti ynë Jezus bëhet më së shumti gëzimi dhe ngushëllimi i njerëzve të Tij, ky është pikërisht vendi ku Ai u zhyt më së shumti në thellësitë e mjerimit. Afrohuni, shpirtra të hirshëm, dhe vështrojeni Njeriun në kopshtin e Gjetsemanit; vështrojeni zemrën e Tij kaq të mbushur me dashuri, sa nuk mund ta mbajë dot brenda—kaq të mbushur me trishtim, saqë duhet ta shprehë medoemos atë! Pa vështrojeni djersën e gjakut tek derdhet pikë-pikë nga çdo pore e trupit të Tij dhe bie mbi tokë! Pa vështrojeni Njeriun tek i ngulin gozhdë në duar e këmbë! Pa ngrijini sytë, o mëkatarë të penduar, dhe vështroni shëmbëllimin e dhimbshëm të Zotit tuaj të përvuajtur! Vështrojeni Atë tek pikat gurgjaku bulëzojnë mbi kurorën gjembore dhe e zbukurojnë me gurë të çmuar diademën e Mbretit të Mjerimit! Pa vështrojeni Njeriun kur të gjitha kockat e Tij janë të dala vendit, dhe Ai po derdhet si ujë dhe po vihet në pluhurin e vdekjes; Perëndia e ka braktisur, dhe ferri e rrethon [nga të katër anët].

Pa vështroni e shihni, a ka pasur vallë ndonjëherë një pikëllim si pikëllimi që i shkaktuan Atij? Të gjithë ata që kalojnë pranë, ndalojnë dhe vështrojnë këtë shfaqje dhimbjeje, një çudi për njerëzit dhe engjëjt, një fenomen i pashoq. Vështrojeni Perandorin e Fatkeqësisë që nuk pati shok e rival në agonitë e Tij! Vështrojeni Atë, ju vajtues, sepse nëse nuk gjeni ngushëllim në një Krisht të kryqëzuar, nuk mund të gjeni dot gëzim as në tokë e as në qiell! Në mos pastë shpresë në çmimin e gjakut të Tij shpengues, nuk do të ketë hare te harpat e qiellit dhe dora e djathtë e Perëndisë nuk do të njohë më kënaqësi përjetë.

Mjafton që vetëm të ulemi më shpesh dhe në vazhdimësi te këmbët e kryqit, për të mos u shqetësuar aq shumë nga dyshimet e hallet. Mjafton të shohim vuajtjet e Tij dhe do të na vijë turp t’i përmendim vuajtjet tona; mjafton t’ia ngulim sytë plagëve të Tij dhe ja tek shërohen plagët tona. Mjafton të sodisim vdekjen e Tij nëse duam të jetojmë në drejtësi. Nëse duam të ngrihemi në dinjitet, mund ta bëjmë këtë vetëm duke shqyrtuar poshtërimin dhe vuajtjen e Tij.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin