“Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia?”
Jobi 1:9
Kjo ishte pyetja e ligë e Qoftëlargut, në lidhje me atë njeri të drejtë të lashtësisë. Mirëpo, kjo është një pyetje që mund të bëhet me të drejtë edhe sot për ca e ca që e duan Perëndinë pikërisht për këtë arsye, sepse Ai iu fal begati; por të cilët, nëse gjërat do t’iu shkonin keq, do të hiqnin dorë shumë shpejt nga i gjithë besimi në Perëndinë, të cilin e kanë shpallur bujshëm. Nëse do të mund të shihnin qartë se punët u kanë shkuar mirë qysh nga koha e kthimit të tyre të hamendësuar në besim, atëherë do ta donin Perëndinë në mënyrën e tyre të ngratë, mishërore; por do të ngrinin krye kundër Zotit me t’u përballur me vështirësitë e para.
Dashuria e tyre është dashuri për tryezën e mbushur plot dhe jo për mikpritësin; dashuri për bufenë ku mbahen ushqimet dhe jo për të zotin e shtëpisë. Sa për të krishterin e vërtetë, ai pret që ta marrë shpërblimin e tij në jetën tjetër dhe të durojë vështirësi në këtë jetë. Begatia ishte premtimi i besëlidhjes së vjetër, ndërsa ai i besëlidhjes së re është vuajtja. Kujtoni fjalët e Krishtit: “Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt”—çfarë ndodh me të?—“ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt” (Gjoni 15:2). Në qoftë se jeni frytdhënës, do t’ju duhet të duroni vuajtje.
Ju mund të thoni: “Sa keq! Kjo është një perspektivë e tmerrshme.” Mirëpo, kjo vuajtje sjell fryte kaq të vyera, sepse duke kaluar përmes saj, i krishteri duhet të mësojë se si të gëzohet në mundime, sepse siç janë mundimet me bollëk, të panumërta janë edhe përdëllimet në Krishtin Jezus.
Ji i sigurt për këtë, nëse je fëmijë i Perëndisë, herët a vonë do ta provosh purtekën e Tij. Çdo shufër ari duhet të kalojë përmes zjarrit herët a vonë. Mos ki frikë, por, përkundrazi, gëzohu që të tilla kohë të frytshme ruhen për ty, sepse gjatë tyre do të shkëputesh nga gjërat e kësaj bote dhe do të bëhesh gati për qiellin; do të çlirohesh nga vardisja pas së tashmes dhe do të shtyhesh që të kërkosh me zjarr ato gjëra të përjetshme, të cilat do të të zbulohen së shpejti. Nëse sot ndihesh sikur po i shërben Zotit në këmbim të asgjëje, do të vijë koha kur do të ngazëllehesh për shpërblimin e pamasë të së ardhmes.
© dritez.al 2024