Unë ju përgjërohem, o bija të Jerusalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t’i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria.
Kënga e Këngëve 5:8
E tillë është gjuha e besimtarit që e dëshiron me zjarr përbashkësinë e tanishme me Jezusin, saqë thotë se është i sëmurë [nga dashuria] për Zotin e tij. Shpirtrat e hirshëm nuk ndihen asnjëherë plotësisht rehat, përveçse kur janë në përbashkësi të ngushtë me Krishtin; sepse e humbasin paqen kur gjenden larg Tij. Sa më pranë Tij, aq më pranë janë ata me qetësinë e përsosur të qiellit; sa më pranë Tij, aq më plot është zemra e tyre, jo vetëm me paqe, por edhe me jetë, energji dhe gëzim, sepse të gjitha këto varen nga përbashkësia e vazhdueshme me Jezusin. Porsi dielli për ditën, hëna për natën, vesa për lulen, ashtu është edhe Jezu Krishti për ne. Porsi buka për të uriturit, veshmbathja për të zhveshurit, hija e shkëmbit të madh për udhëtarin në një tokë të përzhitur, ashtu është edhe Jezu Krishti për ne. Prandaj, nëse nuk jemi në mënyrë të ndërgjegjshme një me të, nuk duhet të habitemi nëse shpirti ynë këndon fjalët e Këngës: “Unë ju përgjërohem, o bija të Jerusalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t’i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria.”
Kjo dëshirë e zjarrtë për Jezusin shoqërohet nga një bekim: “Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen” (Mateu 5:6); prandaj, ata që janë të etur për të Drejtin, janë tej mase të bekuar. E bekuar është ajo uri, sepse vjen nga Perëndia: po qe se nuk po e gëzoj bekimin e të qenët i mbushur, do të vij sërish i zbrazur dhe me gatishmëri, derisa të mbushem me Krishtin. Në qoftë se nuk po ushqehem ende me Jezusin, do të vazhdoj të jem i uritur dhe i etur për Të. Kjo është një uri e shenjtë, pasi ajo rrëzëllen mes lumturive të tjera të Zotit tonë. Mirëpo, brenda bekimit përfshihet edhe një premtim. Këta të uritur “do të ngopen” me çka u dëshiron zemra. Nëse Krishti na shtyn në këtë mënyrë që ta dëshirojmë Atë me kaq zjarr, Ai me siguri që do t’i plotësojë ato dëshira të flakta; dhe kur Ai të vijë te ne, se me siguri do të vijë, sa e bukur do të jetë ardhja e tij!
© dritez.al 2024