Pasurinë e pahulumtueshme të Krishtit.
Efesianëve 3:8
Zotëria im ka pasuri që zor se mund të llogariten nga aritmetika, të maten nga arsyeja, të ëndërrohen nga përfytyrimi njerëzor ose të shprehen me fjalë falë artit të gojëtarisë. Ato janë të pahulumtueshme! Mund të shqyrtosh, të studiosh, të peshosh sa të duash, por Jezusi është një Shpëtimtar më i madh sesa ç’e ke menduar ndonjëherë, edhe në mendimet e tua më të larta. Zoti im është më i gatshëm të falë, sesa je ti për të mëkatuar, më në gjendje që të falë, sesa je ti për të kryer shkelje.
Zotëria im është më i gatshëm t’i përmbushë nevojat e tua, sesa je ti për t’i pranuar ato. Mos lejo as edhe një mendim të ulët për Zotin tim Jezus! Kur ta kurorëzosh Atë, do t’i vësh mbi kokë vetëm një kurorë argjendi, edhe pse Ai meriton një kurorë ari. Zotëria im ka shumë pasuri lumturie për të të dhënë tani. Ai mund të të bëjë të pushosh në kullota me bar të njomë dhe të të drejtojë pranë ujërave që të çlodhin. Nuk ka muzikë tjetër si e Tija, të cilën Ai, Bariu, e luan për delet e Veta kur ato mrizojnë në këmbët e Tij. Nuk ka dashuri tjetër si e Tija; ajo nuk e ka shoqen as në qiell e as në tokë. Të njohësh Krishtin dhe të gjendesh në Të, kjo është jeta dhe gëzimi i vërtetë. Zotëria im nuk i trajton shërbëtorët e Vet harbutërisht; Ai u jep atyre po aq sa një mbret i jep një mbreti. Ai u fal atyre dy qiej: një qiell këtu poshtë tek i shërbejnë Atij dhe një qiell atje lart tek kënaqen në Të për jetë e mot.
Pasuritë e Tij të pahulumtueshme do të njihen më mirë gjatë përjetësisë. Udhës për në qiell, Ai do të të falë gjithçka që të nevojitet. Ai do të të mbrojë dhe do të sigurojë për ty, por vetëm në fund të shtegtimit tënd do t’i dëgjosh këngët e triumfit, britmat e shpëtimit dhe do ta shohësh ballë për ballë të Lavdishmin dhe Shumë të Dashurin. “Pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit!” Kjo është melodia për menestrelët e tokës dhe kënga për muzikantët e qiellit! Zot, na mëso gjithnjë e më shumë për Jezusin, dhe ne do t’ua shpallim lajmin e mirë të tjerëve!
© dritez.al 2024