spurgeon dev 22 dhjetor pm
December 2023

Delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.

Gjoni 10:4

Cila është prova e pagabueshme që tregon se je një fëmijë i Perëndisë? Do të ishte një hamendje e marrë po t’i jepnim përgjigje kësaj pyetjeje bazuar në vetë gjykimin tonë; por Fjala e Perëndisë na e zbulon, prandaj mund të ecim pa frikë kur zbulesën e kemi si udhërrëfyese. Shkrimet na thonë për Zotin tonë se “të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12). Atëherë në qoftë se e kam marrë Krishtin Jezus në zemrën time, unë jam një fëmijë i Perëndisë. Në të njëjtin varg, marrja përshkruhet si të besuarit në emrin e Jezu Krishtit.

Pra, në qoftë se besoj në emrin e Jezu Krishtit—domethënë, nëse thjesht ia besoj veten me gjithë zemër Shpengimtarit të kryqëzuar, por tani të lartësuar—unë jam një pjesëtar i familjes së Shumë të Lartit. Nëse e kam këtë, edhe sikur të më mungojë çdo gjë tjetër, kam privilegjin të bëhem një fëmijë i Perëndisë. Zoti Jezus e shpreh këtë në një mënyrë tjetër, tek thotë: “Delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.”

Ja ku është zbërthimi i çështjes me dy fjalë. Krishti u shfaqet në trajtë bariu vetëm deleve të Tij, por jo të tjerave. Me t’u shfaqur Ai, delet e Tij e dallojnë Atë—i besojnë Atij dhe janë të gatshme që ta ndjekin. Ai i njeh dhe ato e njohin; pra, ka një njohje të dyanshme—ka një lidhje të vazhdueshme mes tyre. Kështu, pra, prova, shenja e pagabueshme e rilindjes dhe birësimit është një besim me gjithë zemër në Shpengimtarin e caktuar. Lexues, a mos vallë të kanë zënë dyshimet? A ndihesh i pasigurt nëse je njëri prej fëmijëve të Perëndisë? Atëherë mos e lër këtë orë të kalojë para se të thuash: “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time” (Psalmi 139:23). Të paralajmëroj, mos e zvarrit këtë çështje! Në qoftë se do të zvarritësh ndonjë gjë, le të jetë ndonjë çështje dytësore—sikurse shëndeti yt ose certifikata e pronësisë së shtëpisë sate. Por kur vjen puna për shpirtin tënd, për shpirtin tënd të pavdekshëm dhe fatin e tij të përjetshëm, të përgjërohem që t’i kushtosh rëndësinë e duhur! Sigurohu se ku do ta kalosh përjetësinë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin