tetor 21

Tetor 2022


Te ky varg i Efesianëve 5:31, Pali po citon nga Zanafilla 2:24, që Moisiu e tha–dhe Jezusi tha se Perëndia foli nëpërmjet Moisiut (Mateu 19:5)–“Njeriu do ta lërë të atin dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.” Pali thotë se kjo fjalë e Perëndisë, e folur para rënies në mëkat, i referohet Krishtit dhe kishës, dhe për pasojë përmban një mister të madh.

Ajo që nënkuptohet këtu është se, kur Perëndia veproi për të krijuar burrin dhe gruan, dhe të themelonte bashkimin e martesës, Ai nuk hodhi zaret, nuk tërhoqi fijen apo të hidhte një monedhë për të vendosur se si do të lidheshin ata të dy me njëri-tjetrin. Ai e modeloi martesën shumë qëllimisht, sipas marrëdhënies që ekziston mes Birit të Tij dhe kishës, të cilën e kishte planifikuar që nga përjetësia.

Prandaj martesa është një mister–ajo përmban dhe fsheh një kuptim shumë herë më të madh se ai që mund të shohim nga jashtë. Perëndia e krijoi njeriun, mashkull dhe femër, dhe e caktoi martesën që marrëdhënia e përjetshme e besëlidhjes mes Krishtit dhe kishës së Tij të mund të shëmbëllehej në bashkimin martesor.

Përfundimi që Pali nxjerr prej këtij misteri, është që rolet e bashkëshortit dhe bashkëshortes në martesë nuk janë caktuar në mënyrë arbitrare, por janë të rrënjosura në rolet dalluese të Krishtit dhe kishës së Tij.

Ne që jemi të martuar, kemi nevojë të mendojmë vazhdimisht se sa e mistershme dhe e mrekullueshme është që Perëndia na jep në martesë privilegjin për të pasqyruar realitete të jashtëzakonshme hyjnore, të cilat janë pafundësisht më të mëdha dhe më madhështore se ne.

Ky mister i Krishtit dhe i kishës është themeli i modelit të dashurisë që Pali përshkruan në martesë. Nuk mjafton të themi që si bashkëshorti ashtu edhe bashkëshortja duhet ta kërkojnë gëzimin e vet në gëzimin e tjetrit. Kjo është e vërtetë, por nuk mjafton. Gjithashtu është  e rëndësishme të themi se bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet ta imitojnë me vetëdije marrëdhënien që Perëndia kishte në mendje për Krishtin dhe kishën. Domethënë, secili duhet të kërkojë të jetojë sipas modelit të dallueshëm të projektimit të pastër dhe të gëzueshëm të Perëndisë për Krishtin dhe kishën.

Shpresoj ta merrni seriozisht këtë gjë, qofshi beqarë apo të martuar, të moshuar apo të rinj. Zbulesa e Krishtit besëlidhjembajtës dhe e kishës besëlidhjembajtëse varet nga kjo.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia