Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon.
2 e Korintasve 5:14
Sa i detyrohesh Zotit tim? Vallë, a nuk ka bërë Ai ndonjë gjë për ty? A t’i ka falur vallë mëkatet? A të ka mbuluar vallë me një mantel drejtësie? A i ka vendosur vallë këmbët e tua mbi një shkëmb? A i ka bërë të qëndrueshëm hapat e tu? A e ka përgatitur vallë qiellin për ty? Vallë, a nuk të ka përgatitur ty për qiellin? A nuk e ka shkruar vallë emrin tënd në Librin e Tij të Jetës? Vallë, a nuk të ka dhuruar bekime të panumërta? A nuk ka vënë mënjanë për ty një magazinë mëshirash, të cilat syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar?
Atëherë, bëj diçka për Jezusin, që të jetë e denjë për dashurinë e Tij! Mos i fal një flijim sa për sy e faqe Shpenguesit që vdiq për ty! Si do të ndihesh kur të vijë Mësuesi yt nëse do të të duhet t’i rrëfesh se nuk bëre asgjë për Të, por se e mbajte dashurinë mbyllur në grusht, si një pishinë me ujë të ndenjur, i cili nuk rrjedh as te të vobektët dhe as në veprën e Tij? Larg nga një dashuri e tillë! Çfarë duhet të mendojnë njerëzit për një dashuri që asnjëherë nuk jetësohet përmes veprave? Nuk thonë kot se “Më mirë një qortim i hapur, se një dashuri e fshehur” (Fjalët e Urta 27:5). E kush mund ta pranojë një dashuri kaq të dobët, saqë nuk të shtyn të paktën drejt një vepre të vetme vetëmohimi, bujarie, heroizmi apo zelli?
Mendo pak për dashurinë e Tij ndaj teje dhe si e dha Veten për ty! Vallë, a e njeh fuqinë e asaj dashurie? Atëherë, qoftë ajo si një erë e furishme që fryn brenda shpirtit tënd, për t’i shporrur retë e dashurisë sate për botën dhe për të larguar mjegullën e mëkatit! “Për hir të Krishtit”, qoftë kjo frazë gjuha e zjarrit që zbret e qëndron mbi ty! “Për hir të Krishtit”, qoftë ky ngazëllimi hyjnor, fuqizimi qiellor që të jep krahë të fluturosh mbi dheun, fryma hyjnore që do të të bëjë guximtar si luan dhe të shpejtë si shqiponjë në shërbim të Zotit tënd! Dashuria duhet t’i bëjë me krahë këmbët e shërbimit dhe duhet t’u japë fuqi krahëve të punës së lodhshme. Të rrënjosur në Perëndinë me qëndrueshmëri që nuk lëkundet, të vendosur për ta nderuar Atë me një zell që zor se tronditet, dhe tek çajmë përpara me pasion që nuk luhatet, le të bëhemi prova e gjallë e dashurisë që na shtrëngon në Jezusin! Na tërheqtë magneti hyjnor drejt vetë qiellit!
© dritez.al 2024