spurgeon dev 21 pm
October 2023

“Pse jeni të turbulluar? Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?”

Luka 24:38

“Pse thua, o Jakob, dhe ti, Izrael, shpall: ‘Rruga ime i është fshehur ZOTIT dhe për të drejtën time nuk kujdeset Perëndia im?’” (Isaia 40:27). Zoti kujdeset për të gjitha gjërat, dhe madje, edhe krijesat më të vogla përfitojnë nga provania e Tij e gjithëmbarshme, por provania e Tij e veçantë qëndron mbi shenjtorët e Vet. “Engjëlli i ZOTIT zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij” (Psalmi 34:7). “Gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të Tij” (Psalmi 72:14). “Është e çmueshme në sytë e ZOTIT vdekja e të shenjtëve të Tij” (Psalmi 116:15). “Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të Tij” (Romakëve 8:28). Të dhëntë zemër dhe të ngushëlloftë fakti që megjithëse është Shpëtimtari i gjithë njerëzve, Ai është posaçërisht Shpëtimtari i atyre që besojnë!

Ai kujdeset posaçërisht për ty; ti je thesari i Tij mbretëror, të cilin e ruan si sytë e ballit; je vreshti mbi të cilin vigjilon ditë e natë. “...edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës janë të numëruara” (Mateu 10:30). Qoftë mendimi i dashurisë së Tij të veçantë për ty një qetësues frymëror dhe një balsam lehtësues për mjerimet e tua: “Nuk do të të lë [ty], as nuk do të të braktis [ty]” (Hebrenjve 13:5). Perëndia ta thotë këtë ty, po aq sa ia thoshte çdo shenjtori qëmoti. “Mos ki frikë… unë jam mburoja jote dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh” (Zanafilla 15:1). Humbasim shumë ngushëllime për shkak të zakonit që kemi, për t’i interpretuar premtimet e Tij sikur i drejtohen vetëm të gjithë kishës, në vend që t’i bëjmë ato tonat, pra, të vlefshme për veten.

Besimtar, kape dhe shtrëngoje fort Fjalën hyjnore me një besim përvetësues vetjak! Përfytyro pak sikur po e dëgjon Jezusin të të thotë: “Unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket” (Luka 22:32). Përfytyroje sikur po e sheh tek ecën mbi ujërat e halleve dhe shqetësimeve të tua, sepse Ai është atje dhe po të thotë: “Jam unë, mos u frikëso!”. Këto janë fjalët e ëmbla të Krishtit! Dhëntë Fryma e Shenjtë që t’i përjetosh ato sikur po t’i thotë ty personalisht; pra, harroji për një çast të tjerët—merre zërin e Jezusit sikur po të drejtohet ty dhe thuaj: “Jezusi më pëshpërit fjalë ngushëllimi; nuk mund t’i refuzoj ato; do të ulem nën hijen e Tij me shumë dëshirë” (Shih Kënga e Këngëve 2:3). 


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>