“Do të ndiej gëzim duke u bërë të mirë.”
Jeremia 32:41
Sa i hareshëm është për besimtarin fakti që Perëndia gjen kënaqësi në shenjtorët e Vet! Në vetvete nuk shohim asnjë arsye se përse Zoti duhet të kënaqet me ne; madje as ne nuk gjejmë kënaqësi në veten tonë, sepse shpesh na ndodh që psherëtijmë nën barrët tona, duke qenë të ndërgjegjshëm për mëkatshmërinë tonë dhe duke vajtuar për pabesinë tonë. Druhemi se populli i Perëndisë nuk mund të inkurajohet shumë prej nesh, sepse ata pa dyshim që mund t’i dallojnë dobësitë dhe marrëzitë tona të shumta, dhe kjo do të bënte që të ankoheshin për dobësitë tona, në vend që të admironin hiret tona. Mirëpo, na e do zemra që të qëndrojmë mbi këtë të vërtetë të amshuar, mbi këtë mister të lavdishëm: ashtu si dhëndri gëzohet me nusen, edhe Zoti gëzohet me ne.
Nuk lexojmë askund se Perëndia gëzohet me malet e mbuluara me re apo me yjet xixëlluese, por lexojmë se kënaqet me pjesët e banuara të tokës dhe se gjen kënaqësi te bijtë e njerëzve. Madje nuk e gjejmë gjëkundi të shkruar që engjëjt t’i falin gëzim shpirtit të Tij; madje nuk thotë as për kerubimët dhe as për serafimët: “...do të të quajnë “Kënaqësia ime është tek ajo” [Hefzibah]... sepse Zoti gjen kënaqësi te ti” (Isaia 62:4). Ama të gjithë këtë ua thotë krijesave të rëna e të mjera si puna jonë—të poshtëruara dhe të përçudnuara nga mëkati, por të shpëtuara, të lartësuara dhe të përlëvduara prej hirit të Tij.
Sa mbresëlënëse është gjuha me të cilën Ai e shpreh kënaqësinë që gjen te populli i Vet! Kujt mund t’ia merrte mendja se I Përjetshmi do t’ia merrte një kënge të tillë? E megjithatë është shkruar: “Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do të qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi” (Sofonia 3:17). Tek vështronte botën që kishte krijuar, Ai tha: “Është shumë mirë”; mirëpo, kur kundroi ata që janë blerë me gjakun e Jezusit, të zgjedhurit e Vet, dukej sikur zemra e pamasë e Të Pafundmit nuk mund të përmbahej dot më, por shpërtheu në britma hyjnore gëzimi.
A nuk duhet ta shprehim edhe ne përgjigjen tonë mirënjohëse ndaj një shpalljeje kaq të mrekullueshme të dashurisë së Tij dhe të këndojmë: “Unë do të ngazëllohem te ZOTI dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim” (Habakuku 3:18)?
© dritez.al 2024