Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve.
Psalmi 26:9
Ishte frika ajo që e shtyu Davidin të lutej në këtë mënyrë, sepse diçka i pëshpëriti [në vesh]: “Mbase, në fund të fundit, shpirti yt mund të vendoset bashkë me atë të mëkatarëve.” Kjo frikë buron kryesisht nga ankthi i shenjtë, i cili lind kur sjellim në mendje mëkatin e së kaluarës. Edhe njeriu i falur do t’ia bëjë vetes pyetjen: “Po sikur të kujtoheshin mëkatet e mia në fund fare, dhe unë të mbetesha jashtë bashkësisë së të shpëtuarve?”. Ai mendon për gjendjen e tij të tanishme—kaq pak hir, kaq pak dashuri, kaq pak shenjtëri; dhe duke e pritur me padurim të ardhmen, ai mendon rreth dobësive dhe tundimeve të shumta që e rrethojnë, dhe frikësohet se mund të bjerë dhe të bëhet pre e armikut. Ndjesia e mëkatit dhe e ligësisë së tanishme, por edhe prishjet e veta mbizotëruese, e shtyjnë atë të lutet me frikë dhe dridhje: “Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve!”.
Lexues, nëse e ke bërë këtë lutje, dhe nëse karakteri yt përshkruhet me përpikëri në Psalmin prej të cilit është marrë ajo, nuk duhet të kesh frikë se mos vendosesh bashkë me mëkatarët! Vallë, a i ke edhe ti dy virtytet e Davidit: ecja e jashtme me ndershmëri dhe besimi i brendshëm në Zotin? A je themeluar vallë mbi sakrificën e Krishtit, dhe a mund t’i qasesh altarit të Perëndisë me shpresë të përulur? Në qoftë se i ke këto gjëra, ji i sigurt se nuk do të të vënë kurrë bashkë me mëkatarët, sepse ajo fatkeqësi nuk mund të bjerë mbi ty. Kur të vijë koha e gjykimit, do të jepet urdhri: “Mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim” (Mateu 13:30).
Pra, në qoftë se je i njëjtë me njerëzit e Perëndisë, atëherë do të jesh bashkë me ta. Nuk mund të flakesh tej bashkë me mëkatarët, sepse je blerë me çmim tepër të shtrenjtë. Duke qenë i shpenguar nga gjaku i Krishtit, ti i përket Atij për jetë e mot, dhe aty ku është Ai, do të jenë edhe njerëzit e Tij. Perëndia të do kaq shumë, saqë nuk do të të lërë të flakesh tutje me të nëmurit. Vallë, a do të humbasë ndonjë person që është i dashur për Krishtin? E pamundur! Ferri nuk të mban dot! Ti i takon Qiellit! Beso në Krishtin, dhe mos ki frikë!
© dritez.al 2024